Çuçi: Në sondazhe del qartë, PS ka mbështetjen më të madhe te gratë dhe vajzat
Gratë dhe vajzat janë mbështetëset më të mëdha të Partisë Socialiste dhe kjo del qartë në çdo sondazh publik deklaroi Bledi Çuçi gjatë një takimi elektoral në Rajonin 3 të Vlorës. Drejtuesi politik i PS-së shoqërohej në këtë takim nga kandidatët për deputetë, Briseida Çakërri, Zamira Sinaj, Erjona Ismaili dhe Pirro Vengu.
“Në sondazhe del se Partinë Socialiste e përkrahin më shumë gratë dhe vajzat. Sigurisht që kjo ndodh sepse ju e shihni përditë, e keni kuptuar shumë mirë se çfarë po bëjmë ne që ju të jeni pjesëmarrëse me të drejta të barabarta në jetën publike dhe në vendimarrje nga niveli më i ulët deri në nivelin më të lartë të qeverisë”, tha Çuçi.
Gjatë fjalës së tij ai evidentoi edhe njëherë rolin e Partisë Socialiste për përfshirjen e grave dhe vajzave në strukturat e partisë, qeverisjen vendore e qëndrore.
“Në Partinë Socialiste s’na kundërshton dot kush për çfarë kemi bërë ne për barazinë gjinore. Për përfshirjen e grave dhe vajzave në jetën publike. Jemi ne dhe askush tjetër, asnjë forcë politike që gjithë këto vite kemi bërë të mundur që gratë dhe vajzat të kenë vendin e tyre të merituar duke filluar që nga niveli bazë i organizimit të një partie siç është Organizata Socialiste në PS, ku kemi krijuar modelin e bashkëdrejtimit, një burrë e një grua. Në çdo nivel tjetër që vjen më lartë duke filluar nga këshillat zonalë, nga kryetarët e partive, nga këshilltarët dhe sigurisht pastaj në përqindjen që kemi krijuar në parlament dhe ajo që është dhe më transformuesja besoj unë, që në një moment arriti në majat botërore të përfaqësimit të grave, në qeveri. Asnjë qeveri më përpra, asnjë forcë politike nuk ka krijuar kushtet për një barazi të tillë për gratë dhe vajzat”, tha Çuçi.
Duke folur për listën e kandidatëve të PS-së në qarkun Vlorë, Çuçi theksoi se ajo është një listë e balancuar nga pikëpamja gjinore.
“Secili burrë dhe grua në atë listë ka meritën e vet absolute si qënie dhe personalitet më vete, pavarësisht nëse është burrë dhe grua. Vota për numrin 5 është shumë e rëndësishme sepse aty burojne të gjitha këto që ndodhin këtu, përfshi edhe kandidimin e Brisit në Rajonin 3. Faleminderit shumë dhe suksese në këtë fushatë për numrin 5 dhe pastaj e dini vetë alfabetin se si vjen”, tha Çuçi.