Bashkia Sarandë pjesë e projektit evropian CLIMATE – Takimi i parë zhvillohet në Greqi
Përfaqësues të Bashkisë Sarandë morën pjesë në takimin e parë zyrtar të projektit ndërkombëtar CLIMATE, i cili u zhvillua në Patra, Greqi. Ky projekt sjell së bashku 9 partnerë nga 8 vende të Bashkimit Evropian, në një përpjekje të përbashkët për të adresuar sfidat e ndryshimeve klimatike në nivel rajonal.
Gjatë këtij takimi fillestar, u diskutuan qasje dhe strategji të reja për menaxhimin e rreziqeve klimatike, si dhe u theksua rëndësia e forcimit të kapaciteteve vendore. Një nga qëllimet kryesore të projektit është ndërtimi i komuniteteve më të qëndrueshme dhe më rezistente përballë ndikimeve të klimës.
Pjesëmarrja e Bashkisë Sarandë në këtë nismë është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirjes në projekte të financuara nga BE që synojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit.