Ardit Bido: Do e përmend Shalësin në fjalimin tim të parë në Kuvend

Kandidati i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Ardit Bido, zhvilloi një takim me banorët e Shalësit, ku u shpreh me tone të forta për angazhimin e tij ndaj kësaj zone.

“Unë kërkoj prej jush që këtu në Shalës të bëhet zjarr për Partinë Socialiste, derë më derë, në çdo shtëpi. Dhe kërkoj votën për vete, sepse kam dhënë garancinë dhe premtoj këtu, sot, hapur që Shalësin do ta përmend që në fjalimin tim të parë në Kuvend, dhe për problemet e tij do të loboj në çdo institucion parlamentar,” – tha Bido.

Ai theksoi se për të, politika nuk është interes, por përfaqësim dhe zemër.

“Më keni dëgjuar ta përmend Shalësin në media edhe kur nuk kisha asnjë interes elektoral. Të tjerët e kanë pasur interesin dhe nuk e kanë bërë. Unë e kam përmendur nga bindja, dhe nesër, kur të kem edhe interesin elektoral, do ta bëj dyfish. Sepse unë vij në këtë zonë me zemër. Kam folur për këtë zonë, do të flas për të edhe nëse nuk do të jem deputet, edhe pse gjërat duken mirë dhe do të jem në Kuvend. Dhe e dyta, sepse nuk më tremb njeri,” – u shpreh kandidati i PS.

Në fund të fjalës së tij, Bido u bëri thirrje banorëve të Shalësit që të angazhohen vetë për mbështetjen ndaj Partisë Socialiste:

“Ju e doni Shalësin më shumë sesa unë. Ju kërkoj që jo vetëm ta tregoni me votë, por të shkoni në çdo shtëpi të këtij fshati të bukur dhe t’u kërkoni edhe të tjerëve votën për Partinë Socialiste, për numrin 5 dhe për mua.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *