Turistët e huaj në Sarandë: Edhe pse s’është verë, është kohë e mrekullueshme
Fundjava në Sarandë rezervoi mot të ngrohtë me diell. Të shumtë ishin turistët e huaj që vizituan qytetin bregdetar, si një ogur i mirë për sezonin turistik. Ata tregojnë se qyteti është fantastik dhe se do të kthehen sërish për të pushuar buzë detit.
Edhe pse sezoni turistik ende nuk ka nisur, mesi i Marsit e ka gjetur Sarandën me turistë të huaj që shijojnë rrezet e para të diellit.
Kjo turiste e quajtur Lili ka udhëtuar nga Australia për të vizituar qytetin bregdetar. Ajo tregon se pasioni për fotot, qetësia në qytet, ushqimet që ka provuar e bëjnë Sarandën vendin ideal për të.
“Erdha ne Sarande në këtë kohë sepse unë në fakt udhëtoj kur nuk ka sezone, dhe ne këtë kohë është qetësi, qyteti është ne paqe, unë dal për ecje pothuajse çdo ditë. Është kohë e ngrohtë dhe perëndimet e diellit janë të mrekullueshme, kam bërë me mijëra foto. Mendoj se është kohë e mrekullueshme të vish në Sarandë edhe pse nuk është verë. Më pëlqejnë shumë gjëra këtu, me pëlqen shëtitorja, ushqimi aq i shijshëm, kam provuar shumë ushqime.”
Edhe këtë vit Saranda ka marrë sinjale pozitive nga pushuesit polak, që prej disa vitesh përbëjnë një % të konsiderueshme të prezencës turistike atje.
David një i ri polak, që më herët e ka vizituar Shqipërinë, këtë herë është rikthyer së bashku me miqtë e tij.
“Jam Davidi nga Polonia dhe erdhëm këtu me miqtë sepse ne Poloni është shume ftohte tani, donim te merrnim pak reze këtu ne Shqipëri. Është hera ime e dyte këtu sepse kam qene edhe ne Durrës 3 vjet më parë. Gjëja që më pëlqen më shumë është sigurisht moti, por edhe atmosfera dhe njerëzit miqësor këtu.”
“Jam Mateus dhe është hera ime e parë këtu, moti dhe temperatura e ngrohtë është ajo që më pëlqen më shume dhe sigurisht në Shqipëri paska vajza shumë të bukura. Jam i sigurt që do kthehem përsëri sepse është një vend shumë i bukur.”
Gjatë pranverës, turistët e huaj i gëzohen qetësisë dhe çmimeve më të ulta që Saranda ofron, ndërsa industria e turizmit nga rezervimet dhe prezenca turistike e të rinjve gjatë kësaj periudhe ka marrë impulse për një sezon turistik të mbarë.