Smart LAB në Konispol, teknologjia bashkë me abetaren
Nga Thoma Nika
Nuk është më një befasi që edhe Konispoli i largët, të ketë në shkollën e vet një laborator Smart, si pjesë integrale të mësimdhënies, për nxënës të arsimit fillor.
Me kamerën e Blu ne ndoqëm zhvillimin e një ore mësimi për klasën e parë në këtë shkollë.
Pamë fëmijë, të cilët, bashkë me gërmat e librit të Abetares, mësojnë të hyjnë edhe në botën digitale, të hapin e kodojnë laptopin e tyre dhe ta bëjnë atë ndihmës të pandarë të përvetësimit të kurrikulës shkollore.
Deri dy vite më parë, kjo as mund të mendohej të ndodhte në Konispol. Por këto dy vitet e fundit, edhe nxënësit e ciklit fillor janë bërë miqësorë me teknologjinë dhe mezi e presin orën e mësimit në këtë laborator, që i fut në botën digitale dhe në platforma interaktive.
Mesuese Salo Sadushi thotë se ky laborator ndihmon shumë për mësimdhënie efektive jo vetëm në lëndën e teknologjisë së informacionit, por edhe në kurrikula të tjera.
Na thanë se në Smart Lab të kësaj shkolle, me nxënës të klasës së dytë të ciklit fillor, është zhvilluar kohët e fundit edhe testimi mbi njohuritë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për temat e mësuara në klasën e parë.
Ky laborator i teknologjisë digitale, ashtu si edhe ata të biokimisë dhe gjuhëve të huaja në shkollën e Konispolit, e kanë bërë procesin e të mësuarit më të kënaqshëm e më bashkëkohor, na thotë drejtoresha Bukuri Braho.
Investimi për Smart Lab, nga mësues e prindër në Konispol, vlerësohet si një hap që zhvillon aftësitë digitale qysh në mosha fëminore.