Rama premton aeroport të ri në jug
Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për shtyp në Berlin, deklaroi se Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht, duke u shndërruar në destinacionin turistik me rritjen më të shpejtë në botë.
Ai njoftoi hapjen e një aeroporti të ri në jug të vendit, që do të menaxhohet nga aeroporti i Mynihut, për të përballuar fluksin e turistëve.
“Do të çelim një aeroport të ri dhe do të menaxhohet nga aeroporti i Mynihut, dhe besoj se aeroporti i kryeqytetit ka rritjen më të shpejtë, por tashmë është i mbipopulluar.
Aeroporti i ri, që do hapim këtë vit është më në jug dhe praktikisht u përgjigjet nevojave të turistëve që shkojnë drejt jugut të vendit tonë, ku ka shumë për të parë.
Kemi një tjetër aeroport në veri. Kemi mjaft kompani ajrore që kanë ardhur dhe shumë të tjerë që do të vijnë. Kur të doni të vini në Shqipëri ka shumë mënyra, kemi një aeroport mjaft të lirë dhe shumë i lehtë për t’u përdorur. Është i vetmi aeroport në rajon që është i çelur 24/7. Gjatë verës nuk ka asnjë moment ndalese”, tha Rama.