Sarandë/ Protestë kundër ndërtimit të resortit turistik! Investimi strategjik te plazhi i ‘Pasqyrave’ me leje të KKRRT, banorët: Do na shemben banesat, duam certifikatë pronësie
Banorët e fshatit Manastir, që jetojnë prej 30 vitesh pranë plazhit të njohur “Pasqyra” në Ksamil, protestuan këtë të mërkurë para zyrave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë.
Banorët kërkojnë certifikatat e pronësisë për shtëpitë, të cilat i kanë prej vitesh në proces legalizimi. Ata thanë se banesat e tyre rrezikojnë të shemben nga IKMT, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një resorti turistik.
“Unë jam banor i Manastirit tek pasqyrat dhe kam 30 vite që kam bërë investime të miat atje dhe tani vijnë nga Tirana dhe thonë ikni ju, se vijmë ne atje me shtëpi. Duan që ta na heqin me shtëpi. Ne duam që Kadastra këtu të na shërbejë, se na takon ne atje. Duam të drejtën tonë që ça janë bashki dhe Kadastra të na shërbejë neve. Na thanë që do të vijmë ta diskutojmë dhe ta shohim nga afër çështjen tuaj. Thonë se ju jeni të padëshirueshëm atje, tek Pasqyrat”, shprehet një prej tyre.
Vendimi për ndërtimin e “Ksamil Seaside Resort & Residential, The Mirrors, Faza I” është miratuar një vit më parë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit. Ndërsa së fundmi kompania që ka marrë lejen e ndërtimit, ka vendosur tabelat në zonën ku ndërtohet resorti, ç’ka ka sjellë revoltën e banorëve.
“Kam 30 vite atje jam me taksa të paguara dhe jam me shtëpi. Ne do të vazhdojmë me bllokim rruge, unë e kam bërë me djersë dhe do ta ruaj me gjak shtëpinë time. Kërkojë të drejtën time. Kemi vajtuar dhe në ministri dhe na kanë thënë që do vijmë që ta shohim çështjen tuaj dhe nuk kanë ardhur akoma, po i presim që të vijnë. Nuk duam gjë tjetër vetëm të na lënë që të jetojmë në shtëpitë tona”, vijon ai.
Banorët thanë se ende nuk janë njohur zyrtarisht me vendimin për shembjen e banesave të tyre, por ndihen të rrezikuar pasi kanë parë lejen e zhvillimit të resortit turistik, i cili shtrihet në hapësirën ku ata kanë banesat. Protestuesit kërkojnë transparencë dhe drejtësi, duke theksuar se kanë ndërtuar shtëpitë me kursimet e një jete dhe se shumë prej tyre nuk kanë alternativa të tjera strehimi.
“Unë jam me 3 fëmijë, të dal tani jashtë nga shtëpia, ku të vemi, më mirë të na vrasin! Na kanë vënë postbllok atje, ‘pronë private’! Duam takim me Avokatin e Popullit”.
Këta banorë kanë ndërtuar shtëpitë në zonën e Manastirit pas vitit 1996 dhe aktualisht janë në proces legalizimi. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka refuzuar kërkesat e tyre për pagesën e tokës dhe për pasojë nuk kanë certifikata pronësie.