Sarande, 90- vjeçari me jetën në tre sisteme

Nga Thoma Nika

Duket sikur bën shaka kur të thotë se ka 90 vite nën lëkurë. Në flokë nuk shikon të ketë rënë ndonjë “borë” e madhe. Ecën drejt e pa u kërrusur, nuk i mbahet fryma as kur ngjit 1000 shkallë çdo ditë dhe ka një trup të drejtë, si selvi.

Nga 90 vitet, tregon se plot 66 i bëhen me timon në dorë. Rastësisht fare u bë shofer. Po kur u bë, ama, e dashuroi dhe i përkushtua zanatit.

Ishte ushtar, bashkë me solistin e valles popullore në Ansamblin e Shtetit. Besim Zekthin. Si fillim ndanin gavetën e ushtarit me emërmadhin Besim Zekthi. Por ai u bë “i madh” edhe për fatin e jetës së Tafil Cacës, protagonistin e këtij rrëfimi.

– Ik rregjistrohu për shofer- i pat thënë atëherë Besimi- se ti je me shkollë mekanike, siç.kërkohet.

Shoferllëkun e nisi më 1956, gati 70 vite më parë, me makinën e atyre që u thoshnin “reparte të ndjekjes”, civil në ushtri. Por Tafili ishte pincë në timon dhe alkoolin nuk e vinte e as e vë në gojë edhe sot. Këto dy cilësi të forta e bënë “të rrallë në shokë”. Ishte akoma djalë i ri dhe kërkohej si të ishte shofer i vjetër.

Kështu ndodhi që u bë shofer i “të mëdhenjve” të kohës në Tepelenë. Thotë të ketë qenë shoferi i ish – kryetarit të Komitetit

Fuat Loloçit në Tepelenë dhe i ish-Sekretarit të parë, Bato Karafilit e më pas Ali Manajt. Kujton, edhe me humor, ditët kur e çonte të parin e Partisë në rreth, të jepte provime për të mesmen, kur ai, që ishte shoferi i tij, e kishte mbaruar me kohë.

Tafili kujton se i bënin përshtypje që, kur kishte njerëz me shkollë, viheshin në drejtim të Partisë, njerëz të urdhërit. Atij nuk i dukej normale që, megjithëse dihej që në vitet ’80 Enveri ishte i sëmurë, nuk dukej t’i lëshonte frerët e partisë e të shtetit tek një tjetër. Këtë e tha në bisedë mes vëllezërve të tij, ushtarakë në.Sazan, por ata gati sa nuk e hodhën në det. Bashkë me mendimet e tij.

Për shumë vite ka qenë shofer autobusi. Kujton autobusat me ndenjëse prej dërrase, që quheshin ndryshe “korriera”. Nga ato që rënkonin, por nuk lodheshin duke ngjitur maloret e serta të Buzit. Kurveleshit dhe Sinanajt.

Pas “korrierës” i ra në dorë një nga autobusat prodhim Shkodre, që edhe ato uturinin kur hanin kilometrat e rrugëve pa rrugë.

Tafilii thotë se numri i tij me fat është 6-a. Ka lindur në vitin që mbaron me 6 (1936), u bë shoferi më 1956. U martua më 1961, i bëhen 66 vite shofer. Numëron plot 40 data të tilla me 6-ën brenda, që i ka të shkruara e të shënuara në jetë.

Tafil Caca nuk e kish shkuar në mendje se do të bëhej shofer. Sepse hobet e tij në jetë kanë qenë të tjera. Një prej tyre ishte piktura. Po ashtu, volejbolli dhe sidomos gjuetia. Çiftja e tij ia ka bërë “bam”, duke marrë shenjë derra të egër e lepuj dhe shpendin e bukur të thëllëzës. Por tani çiftja është në fotografi dhe e varur në murin e shtëpisë. – na bëri punë ai i Gjati- thotë- se na e ka ndaluar gjuetinë dhe kur na kërcen damari e dalim kaçakçe, e sigurt është që ne pleqtë do kapin…

Nuk na i mban sekret “sekretet” e jetëgjatësisë së tij, të trupit lastar dhe ecjes si atlet. Asnjë abuzim në ushqim, është ligji që nuk e shkel ndonjëherë. Duhanit nuk do t’i dëgjojë as erën. Alkoolin rrallë ndodh ta vërë në buzë, përjashtuar sebepet e mëdha.

Të vjen për të qeshur kur dëgjon të flasë për formulën e peshës trupore: Pesha e tij në çdo kohë i përgjigjet formulës gjatësi minus 100.

Mëngjeseve e do që ta rrufisë atë kafen turke. Çdo ditë në të njëjtën kafene, për të cilën i duhet të bëjë ca rrugë, nga lagja Kodër e Sarandës, atje ku banon, për te Kafja e preferuar, në afërsi të Bashkisë së Sarandës. Po ta shohësh me kujdes, në rrufkat e para të kafes nuk çon filxhanin te buza, por buzën te buza e filxhanit.

– Nuk kam ç’i bëj genit, thotë, – e kam një dridhje duarsh.

Por ky moment kalon shpejt. Kur filxhani nuk është fare plot, edhe kjo shenjë pleqërie nuk kuptohet. Të tjerat janë për marshalla: nuk di çfarë janë ilaçet, ecën e lexon pa syze. As për të parë telefonin apo facebukun, nuk i hyjnë në punë “qelqet”. Se syrin e ka qelq e kujtesën për bukuri. Kur i duhet të shkruajë, ndryshon puna. Se Tafil Caca është emri që mbajnë 3 librat e botuar dhe i katërti që ka “në furrë”

Tafili na tregon se është bërë gjysh e katragjysh. Se mbesa e tij ka bërë gjyshe edhe nënën e vet, me stërnipin e Tafilit, që mbush 12 vjeç.

Edhe dasmën e tij e kujton mirë kur është bërë. Vitin që vjen, me zonjën bëjnë 65 vite martesë. Ka qenë dhe mbetet një burrë i dëshiruar. Jo vetëm kur martesa ka mjaltë, por edhe kur jeta të vë përpara halle si i ai i paralizës 5–vjeçare të gruas, Hatemes.

Është Tafili që ia bën tërë shërbesat, pa thënë u rënda e u lodha. Me gruan rrinë së bashku në shtëpinë e vajzës e të dhëndrrit në Sarandë. Por shpesh edhe vajzës i thotë: – Rri atje, mos u ngatërro, se ia plotësoj më mirë vetë kërkesat Hatemes.

Pastaj dita i kalon për bukuri duke gatuar drekën për të tërë familjen. Po edhe ulet shkruan ndonjë gjë, kur i vjen damari, se nuk ka ndërmend ta ngrysë jetën vetëm me 4 libra. Sa ka Tafil Caca për të treguar…Aq të mira qofshin. Janë 90 vite të mbushura me jetë, që duhen shkruar e u duhen treguar brezave.