Në “Kodrën e Gjashtës” Sarandë do ndërtohet hotel për nomadët dhe artistët, FSHZH 3.8 milionë euro
Qeveria ka vendosur që në zonën ku sot ndodhet vila qeveritare në Kodrën e Gjashtës në Sarandë të ketë një transformim total duke parashikuar sipas një projekti disa nivele ndërhyrjeje.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi këtë të enjte çeljen e procedurës së prokurimit “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit, Loti 3 “Poli i Zhvillimit turistik në Sarandë – Faza 1” me një fond limit 378 milionë lekë apo 3.8 milionë euro që ka në fokus këtë transformim. Referuar raportit teknik janë disa ndërhyrje që parashikohen të bëhen në këtë zonë.
Por cilat janë në fakt ndërhyrjet që parashikohen?
Niveli 1 Hapësirë rekreacioni
“Në Nivelin 1 të projektit, është parashikuar krijimi i një hapësire për komunitetin, duke u fokusuar në zhvillimin e zonave rekreative që nxisin relaksimin, argëtimin dhe ndërveprimin social.
Ky nivel përfshin: Zonat e pushimit, të konceptuara si hapësira të qeta dhe të hijezuara, të rrethuara nga gjelbërim i dendur dhe elemente dekorative natyrore. Këto zona ofrojnë stola dhe mobilje të përshtatshme për relaksim, duke krijuar një ambient ideal për banorët dhe vizitorët që duan të kalojnë kohë në natyrë.
Këndet e lojërave, të dizajnuara për të qenë të sigurta dhe argëtuese për fëmijët. Pajisjet janë të ndërtuara me materiale të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, duke krijuar një hapësirë që inkurajon aktivitetin fizik dhe socializimin mes të rinjve.
Pishina publike, një atraksion kryesor i këtij niveli, e cila ofron mundësi për freskim dhe relaks gjatë muajve të ngrohtë. Pishina është projektuar për të plotësuar standardet moderne të sigurisë dhe higjienës, duke u shoqëruar me hapësira ndihmëse si tualete, dushe dhe zona shërbim” përcakton raporti teknik.
Niveli 2 objekt qeveritar, restorant dhe hotel
Konkretisht parashikohet funksionaliteti i objektit qeveritar. Restorant i integruar ne terren. Hotel si rezidence për artistet dhe vizitores e zonës.
“Në Nivelin 2 të projektit, fokusi është vendosur në zhvillimin e funksioneve të ndryshme kulturore, sociale, dhe akomoduese, të cilat krijojnë një ekosistem të integruar shërbimesh dhe aktivitetesh.
Ky nivel është konceptuar për të qenë një qendër dinamike që mbështet krijimtarinë, kulturën dhe ndërveprimin social, duke kombinuar hapësira të brendshme dhe të jashtme të menduara me kujdes. Funksionaliteti i objektit qeveritar: Vila qeveritare do të ruajë identitetin e saj historik, ndërsa transformohet për të përmbushur funksione bashkëkohore.
Ky objekt do të shërbejë si një pikë referimi dhe një komponent kryesor për ndërthurjen e traditës me modernitetin. Një restorant i vendosur në një mjedis të natyralizuar, i cili ofron përvoja kulinare të lidhura me traditën dhe produktet lokale. Ky hapësirë do të jetë një atraksion i veçantë për vizitorët dhe një pikë takimi për artistët, studentët dhe komunitetin.
Hoteli: Në këtë zonë do të ndërtohet një strukturë akomoduese me konceptin e apart-hotelit, e cila do të funksionojë si rezidencë për artistët, nomadët digjitalë, studentët dhe turistët. Hapësirat e saj do të jenë të disponueshme gjatë gjithë vitit dhe do të përfshijnë zona të veçanta për aktivitete dhe shërbime outdoor, duke mundësuar relaksim dhe frymëzim kreativ në një ambient unik. Në tërësi, ky nivel përfaqëson zemrën sociale dhe kulturore të projektit, duke krijuar një hapësirë të shumëdimensionale që promovon artin, edukimin dhe përvojat kolektive.
Niveli 3 shkolla, hapësirë për evente
“Në Nivelin 3 të projektit, fokusi kryesor është krijimi i një hapësire multifunksionale që i shërben njëkohësisht komunitetit, arsimit dhe aktiviteteve kulturore. Ky nivel është konceptuar për të përmbushur nevojat praktike të komunitetit, duke integruar një infrastrukturë të avancuar dhe elemente të qëndrueshme në dizajn. Funksionaliteti i shkollës 9-vjeçare si institucion arsimor: Në këtë nivel, shkolla 9-vjeçare do të funksionojë si një institucion arsimor i mirëfilltë, me hapësira të pajisura për zhvillimin e procesit mësimor në përputhje me standardet bashkëkohore.
Shkolla do të ofrojë mjedise moderne dhe të përshtatura për mësimdhënie, duke përfshirë klasa, laboratorë dhe zona për aktivitete jashtëshkollore. Krijimi i një hapësire komunitare për nxënësit e shkollës: Për nxënësit do të krijohet një zonë komunitare që promovon ndërveprimin dhe aktivitetet jashtë mësimit, si klube, projekte kreative dhe lojëra edukative. Kjo hapësirë do të jetë e disponueshme për zhvillimin personal dhe shoqëror të fëmijëve në një mjedis të sigurt dhe frymëzues. Funksionaliteti i parkimit nëntokësor: Një parkim nëntokësor do të ofrojë lehtësi për stafin e shkollës, prindërit dhe vizitorët.
Kjo infrastrukturë do të ndihmojë në reduktimin e trafikut në sipërfaqet e jashtme, duke çliruar më shumë hapësira për aktivitete rekreative dhe arsimore. Përdorimi i i shufrave të aluminit në formë vertikale dhe formimin e një gridi për krijimin e një strukture të përshtatshme në mbështetje të gjelbërimit vertikal.
Forma e propozuar do të krijoje efektin vizual të kompozimit natyral të shkëmbinjve. Gjelbërimi vertikal me bimësi kacavjerrëse i propozuar është i përshtatur sipas kahut të drejtimit të objektit me varietetin përkatës.
Hapësirë për artistët: Një zonë e dedikuar për artistët do të integrohet në këtë nivel, duke ofruar studio krijimi dhe ambiente pune që mbështesin artin dhe frymëzimin. Kjo hapësirë do të inkurajojë bashkëpunimin mes artistëve dhe nxënësve, duke sjellë kulturën më pranë komunitetit.
Hapësirë për evente promovuese: Një zonë multifunksionale është dizajnuar për të pritur evente të ndryshme promovuese, si ekspozita, konferenca dhe aktivitete komunitare. Kjo hapësirë do të funksionojë si një pikë takimi për njerëzit e interesuar në kulturë, edukim dhe zhvillim komunitar” thuhet në raportin teknik.