Hotel në Sarandë, 7 shtëpi e dyqane: 16 pasuritë marramendëse të gjyqtarit sarandiot Erjon Bani

Në maj të vitit 2021, gjyqtari Erjon Bani, i konsideruar si ekstremist i PD-së nga kryeministri Edi Rama, kaloi me lehtësi procesin e Vetingut, edhe pse sipas ILKPKI nuk e kishte deklaruar pasurinë saktë dhe në përputhje me ligjin. Gjyqtari pranë GJKKO Erjon Bani tha gjatë procesit të Vetingut se kishte banuar me qira në Tiranë deri në vitin 2015, kur kishte marrë në përdorim një apartament në emrin e prindërve, duke krijuar përshtypjen e një prej magjistratëve më tê varfër të sistemit.

Prindërit çamë të Erjon Banit, Ramiz Bajram Bani dhe Irfane Muhamet Bani i ndryshuan emrat duke i bërë grekë në vitet 1995 dhe 1996; Jani dhe Eleni.

Ky është hoteli ‘Santa Lucia’ në Rrugën Gjergj Araniti në Sarandë. Është një godinë me 5 kate. Hoteli është në emrin e babait të gjyqtarit Erjon Bani, Jani Bani, i cili ka punuar si magaziner, një punë e nderuar, por që nuk mjafton për të bërë hotele dhe pallate.

Është një investim me vlerë qindra mijëra euro. Hoteli nuk figuron askund në dosjen e Komisionit të Vetingut për pasurinë e gjyqtarit Erjon Bani.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit ky hotel figuron si bar-kafe, internet.

Cili është burimi i këtij investimi? A është kjo një pasuri e fshehur e gjyqtarit Erjon Bani?

Në emrin e prindërve pensionistë të gjyqtarit Erjon Bani rezultojnë edhe 15 pasuri të tjera të paluajtshme si apartamente, dyqane dhe garazhe.

-Hotel ‘Santa Lucia’ në Sarandë, me bashkëpronar Jani Bani
-Apartament 104 m2 në Tiranë, në emrin e Jani dhe Eleni Bani.
-Apartament 76 m2 në Sarandë, në emrin e Jani Bani.
-Apartament 76 m2 në Sarandë, në emrin e Jani Bani.
-Apartament 76 m2 në Sarandë, në emrin e Jani Bani.
-Apartament 80 m2, në Sarandë, në emrin e Jani Bani.
-Apartament 57 m2, në Sarandë, në emrin e Jani Bani.
-Apartament 76 m2 në Sarandë, në emrin e Jani Bani.
-Dyqan 174 m2, në Sarandë, në emrin e Jani Bani.
-Dyqan 32 m2, në Sarandë, në emrin e Jani Bani.
-Truall 347 m2, në Sarandë, në emrin e Jani Bani.
-Garazh 28 m2 në Sarandë, në emrin e Jani Bani
-Garazh 28 m2 në Sarandë, në emrin e Jani Bani
-Garazh 28 m2 në Sarandë, në emrin e Jani Bani
-Garazh 28 m2 në Sarandë, në emrin e Jani Bani
-Garazh 28 m2 në Sarandë, në emrin e Jani Bani

Dy standarde, mbrojti kolegët me dosjen Toyota Yaris

Gjyqtari Erjon Bani ka miratuar masat e sigurisë të kërkuara nga SPAK për dosjen Toyota Yaris. Gjyqtari urdhëroi që të mos publikoheshin detaje nga kjo dosje. Ndërkaq, për dosjen e Erion Veliajt nuk e mori një vendim të tillë. Në dosjen Toyota Yaris, përveç emrave që janë bërë publikë, rezultojnë të inplikuar edhe 15 magjistratë dhe ish magjistratë. Gjyqtari nuk i la asnjë detyrë SPAK për hetimin e tyre. Ndryshe veproi me dosjen e Ilir Beqajt, për të cilin kërkoi që të arrestohej, edhe pse një masë e tillë nuk ishte kërkuar nga Prokuroria.

Vendime në konflikt interesi

Në vitin 2022, Erjon Bani shpalli të pafajshme ish anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Etleda Çiftja, e akuzuar nga SPAK për deklarim të rremë të pasurisë dhe falsifikim dokumentash. Vendimi është në konflikt flagrant interesi. Gjyqtari Erjon Bani u konfirmua në detyrë në Tetor 2021 nga një trupë e Vetingut, ku bënte pjesë edhe e pandehura, Etleda Çiftja, e shpallur e pafajshme nga Bani. Çiftja kishte votuar pro Banit, i cili nga ana e tij i ktheu reston, duke e shpallur të pafajshme, në vend që të hiqte dorë nga gjykimi.

Tejkalim kompetencash

Në shkelje të Kodit Etik, gjyqtari Erjon Bani u prononcua në media për dosjen e sterilizimit. Duke dalë jashtë komptencave, Bani u shpreh në media për skenare, bëri parashikime si Baba Vanga, insinuata, foli për persona të implikuar, duke bërë politikë, ndërkohë që nuk ishte as gjyqtar themeli, por paraprak.

Drejtësi për opinion

Nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar, por me një gjyqtar përsëritës. Në vitin 2021, gjyqtari Erjon Bani, vendosi në dhomë këshillimi, duke lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg ish-ministrin Lefter Koka.

Vendimin e tij gjyqtari e arsyeton jo se Koka paraqiste rrezikshmëri të lartë shoqërore, apo mund të prishte provat e hetimit, siç kërkohet nga ligji për vendime të tilla të ndërmjetme, por për imazhin e institucioneve shqiptare përballë ndërkombëtarëve. Pra, një ish ministër duhet të qëndrojë në burg për imazhin për të përmirësuar imazhin e drejtësisë. As gjyqtarët e regjimit komunist nuk arrinin deri në këtë pikë.

Ja çfarë shkruan Erjon Bani në vendim; “Në situatën aktuale, ekziston një opinion mosbesues nga opinioni shoqëror, por edhe nga institucionet ndërkombëtare ndaj organeve shtetërore dhe në veçanti ndaj organeve të drejtësisë lidhur me luftën kundër korrupsionit. Mbizotëron një opinion mosbesues se organet shtetërore dhe organet e drejtësisë nuk kryejnë detyrën e tyre në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe nuk ndëshkojnë rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Pasojat e këtij opinioni mosbesues kanë ndikuar dhe ndikojnë në imazhin e vendit në raport me lirinë ekonomike dhe shtetin ligjor, si dhe në zhvillimin ekonomik të shoqërisë dhe të aktiviteteve ekonomike private”./Prapaskena/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *