Enea Lapa, sarandioti që ngre lart flamurin shqiptar në SHBA

Nga Thoma Nika

Enea Lapa, djaloshi sarandiot, erdhi këto ditë nga Amerika në qytetin e zemrës. Nxorri mallin e 8 viteve pa u takuar nga afër me familjarët e njerëzit e dashur këtu.

Dhe kjo i mjafton për ta marrë si fillim të mbarë të 2025-ës. Për të vijuar kështu i gjithë ky vit i ri, në planet që ka në Amerikën e largët. Amerika i dha mundësinë të zhvillojë pasionin që i lindi atje për të bërë emër në një sport fare të veçantë. Jujitsu brazilian, ku ai ushtrohet dhe tashmë jep mësim, thotë se ngjason me xhudon, por ndryshon kaq shumë nga ajo, sa njihet si një “arti xhentil apo i butë”

Ishte njohur 8 vite më parë me këtë lloj sporti në Sarandë, por e kishte lënë në skaj të vëmendjes. Iu kthye si një nevojë ppr t’u kthyer te linjat e mira trupore, por tani e quan sportin e zgjidhjes së problemeve.

Tregon se fillimi nuk ishte i lehtë dhe se iu desh të stërvitet fort për të fituar teknikat. Dhe vetëm 5 vite më parë, në vitin 2020, Enea Lapa do të bëhej emri i kampionit të botës në kategorinë e në peshën e tij, ndërsa më 2023 zuri vendin e dytë në klasifikimin panamerican.

Ngjitja ka qenë e pandalshme dhe sot ai koleksionon 15 medalje ari, shumë medalje argjendi e disa bronzi. E këto e kanë bërë të marrë jo pak vëmendje nga mediat vendase.

Pasioni tashmë 35 vjeçarit i është bërë profesion. E ai ka bërë emër në atë spirtin jujitsu brazilian, për të cilin thotë se në Amerikë ka përhapje të gjerë, ndërkohë që në botë është në zhvillim.
Ëndrra më e afërt e Eneas është të krijojë një Akademi të vetën më jujitsu brazilian dhe të kapë vendin e parë në kampionatin panamerican, që përgatitet për këtë vit.

Kthimi në Amerikë do të jetë për Enean vazhdimi i punës për ëndrrat e tij. Përhapja e këtij sporti në Sarandë, bën pjesë gjithashtu në projektet e tij jo të largëta. Pasi jujistsu brazilian në vlerësimin e tij, përveçse një art luftarak, është edhe një mënyrë mbrojtjeje personale.

Jo më kot për jujistu brazilian thuhet se, nëse shikoni një njeri që di lëvizje të jujitsu, këshillohet të mos i afroheni, sepse do përfundoni në spital.