Dhunohet rëndë Arben Çipa! Në pranga një prej autorëve, në kërkim nipi! Shkak sherri për ndërtimin e një linje elektrike
Kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistik, Arben Çipa është dhunuar në Sarandë nga xhaxha e nip. Ngjarja është regjistruar një ditë më parë rreth orës 16:10, në zonën e quajtur Heremec. Policia e Sarandës në një njoftim për mediat bën me dije se në pranga është vendosur një prej autorëve të dyshuar, Dioment Musa. Ai është arrestuar në një banesë në Lukovë, ku po fshihej, ndërsa nipi i tij është ende në kërkim.
Burime bëjnë me dije se shkak i sherrit është bërë ndërtimi i një linje elektrike që Arben (Sotir) Çipa po ndërton në zonën e Heremecit. Çipa ka pësuar dëmtime të rënda dhe ndodhet në spitalin e Sarandës.
Çipa pretendon se po ndërton një linjë elektrike në bazë të një projekti të miratuar nga OSHEE për një biznes të tijin në Heremec, një zonë ndërmjet Sarandës dhe Kakomesë.
Policia nuk bën të qartë dinamikën e sherrit, ndërsa vetë Çipa pretendon se ditën e djeshme ndërsa ecte me automjet në zonën ku po ndërton linjën elektrike i kanë dalë para dy persona dhe i kanë kërkuar që linja mos të kalojë aty pasi në këtë vend do ndërtojnë ata. Debati ka degraduar duke përdorur në dhunë fizike, ndërsa në drejtim të Çipës është qëlluar edhe me gurë.
Njoftimi i policisë:
Falë veprimeve të shpejta të Specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, u lokalizua në një banesë në fshatin Lukovë, ku po fshihej, dhe u arrestua shtetasi Dioment Musa, 37 vjeç, me precedent kriminal në krimet ndaj personit. Ndërkohë, vijon kërkimi për kapjen e shtetasit M. M., 29 vjeç.
Dy autorët, xhaxha dhe nip, dyshohen se më datë 21.02.2025, rreth orës 16:10, në vendin e quajtur “Rruga për në Heremec”, në lagjen nr. 3, Sarandë, për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, shkelma dhe sende të forta shtetasin Arben (Sotir) Çipa, 52 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Shërbimet e Policisë po vijojnë punën për kapjen e 29-vjeçarit të shpallur në kërkim si bashkëautor.
Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.