Detajet/ Dhunuan brutalisht Arben Çipen në Sarandë, autorët me precedentë penalë të mëparshem
Dy personat që dyshohet se kanë dhunuar me grushte e sende të forta biznesmenit 52-vjeçar Sotir Çipa alias Arben Çipa, njëkohësisht Kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, rezultojnë me precedentë penalë.
Diomet Musai, 37 vjeç, biznesmen i lokaleve të natës dhe ndërtues rezulton i ndaluar dy herë për ngjarje të rënda kriminale por është liruar nga Gjykata. Në dhjetor 2017 ai është ndaluar për veprat penale “plagosje e rëndë me dashje” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” por liruar shpejt nga Gjykata.
Ai është shpallur sërish në kërkim në shtator 2018 për plagosjen më armë të truprojës së lokalit të tij, shtetasit A. L, por është liruar sërish pas ndalimit. Gjithashtu ai është shoqëruar edhe herë të tjera për ngjarje të ndryshme.
Ndërsa kushëriri i tij, Markelian Musai, 29 vjeç, rezulton me precedentë penalë për “falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve”.