Noti i Sarandës: E djeshmja qesh të sotmen

Nga Thoma Nika

Trendi i zhvillimit në shumë fusha është që e sotmja ngrihet mbi të djeshmen, por e lë pas atë. Ndërsa me notin e Sarandës është duke ndodhur e kundërta: e djeshmja qesh dhe përqesh të sotmen.

Ishte një kohë kur Saranda quhej “shtëpia e notit”. Aq sa thuhej se fëmijët e këtij qyteti, më shpejt mësojnë të notojnë, se sa të ecin. Dhe ky masivitet solli cilësinë.

Plot 60 vite më parë, vajzat notare të “Butrintit” bënë vërtet histori duke u shpallur për herë të parë ekip kampion i Shqipërisë. E kjo ishte historike, një histori që zgjati për 10 vite radhazi.

Kjo histori noti e notaresh, me autoritet absolut kampionesh, është ndoshta pjesa më e shndritshme e librit “Mozaik noti në Sarandë”, shkruar nga gazetari sportiv sarandiot Xhorxhi Vasili. Një libër, për të cilin ai thotë se i janë dashur 3 vite kohë dhe shfrytëzimi i arkivave e mediave në dy kohë. Është një libër i shkruar prej tij me dashuri, por edhe me nostalgji dhe sidomos duke dashur të bëjë që e djeshmja t’i flasë të sotmes.

Notarë e notare femra kishte shumë, por ende nuk kishte kampionë, deri sa do vinte viti 1965, që vajzat notare sarandiote do bëheshin yje të Shqipërisë.

Vajzat notare kanë meritën që për herë të parë në të gjitha llojet e sportit, e ngjitën Sarandën në podiumin e numrit 1.

– Dy gjëra më kanë mbrtur në kujtesë nga historia e notit dhe nga puna për përgatitjen e librit-thotë ai. Dhe rendit të parën dashurinë e qytetit për Notin dhe sakrificat e panumërta të notarëve dhe notareve që stërviteshin pa asnjë lloj trajtimi dhe pa asnjë lloj investimi, se stërviteshin në det të hapur.

Këto ndjesi iu kthyen në detyrim dhe motivim për të shkruar librin “Mozaik Noti”, edhe si njeriu që ka shoqëruar ekipin si komentator i garave, në 40 vite, në të gjitha kampionatet kombëtare

– Nuk është thjesht një libër, por një enciklopedi nga përjetimet e rritjes së emrave të atyre që bënë historinë e notit në nivel lokal dhe në shkallë vendi-shprehet autori.

Ja çfarë veçon ky botim nga shkëlqimi i “Butrintit” në not.

– Shkëlqimi erdhi në 1965. Stavri Caka grumbuloi vajza nga qyteti dhe nga Shtëpia Fëmijës. Dhe në gusht 1965 erdhi kampionati që u kthye në festë. 80% e banorëve mbushën shkallët e zadrës. Qyteti, me të madh e të vogël, me të rinj, burra, gra e vajza, përfshi edhe ata pak turistë që vinin atëherë, të gjithë jetuan me emocionet e garave të notit.

Dhe ndodhi e pabesueshmja: 42 rekorde kombëtare u thyen, që nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Nga këto, 10 rekorde kombëtare i thyen vetëm vajzat e Sarandës, që nuk ishin më shumë se 14-15 vjeçare. Dhe mbetën Kampione për 10 vite radhazi. Do të ishte bërthama e ekipit kombëtar të femrave, që shkoi në Kinë.

Por tjetër është historia e tjetër e sotmja. Një kalim nga shkëlqimi në një mbijetesë. Përpjekjet që bëhen nga trajnerë dhe elementë që e duan dhe e ushtrojnë notin, nuk mungojnë. Por ky sport kampionësh, po mbijeton i shpërfillur nga kampionët e premtimeve. Kur dhjetëra hotele kanë pishina fantastike, një qytet nuk ia ka dalë të bëjë të shumëpremtuarën pishinë olimpike, në vend të zadrës arkaike të ngritur 60 vite të shkuara, me ndihmën e atyre që ndërtonin atëherë Hidrocentralin e Bistricës.

Referuar momentit historik të 60 viteve më parë, kur vajzat notare i dhuruan Sarandës kupën e parë si kampione vendi dhe dëshirës për ta nxjerrë këtë lloj sporti nga mbijetesa, autori i librit “Mozaik noti në Sarandë”, Xhorxhi Vasili, është me idenë që viti 2025 të shpallet “Viti i titullit të parë Kampione në Not për femra”.

Nuk është një ide për t’u anashkaluar, nëse duam që ajo pjesë e të djeshmes, që përmban maja arritjesh, të vihet në
shërbim të të sotmes, t’i flasë asaj e të motivojë për ta rikthyer notin në “shtëpinë” e vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *