Bujar Leskaj në Konispol, nderon figurën e Rexho Plakut

Konispoli u bë dje qendra e një homazhi domethënës për figurën e Rexho Plakut, një nga simbolet e qëndresës antikomuniste në Shqipëri. Ish-i dënuar politik, i cili vuajti plot 29 vite, 11 muaj dhe 12 ditë burg gjatë regjimit komunist, mbetet një shembull frymëzimi për atdhetarizëm dhe sakrificë.

Busti i tij, i vendosur në sheshin qendror të Konispolit, ishte pika ku drejtues të Partisë Demokratike dhe figura  të komunitetit lokal nderuan kujtimin e tij.

Në aktivitet morën pjesë drejtuesi politik i Qarkut Vlorë, z. Bujar Leskaj, kryetari i PD Konispol z. Farudin Lame, ish-kryetari i Bashkisë Konispol z. Petrit Mullaj, themeluesit e PD Konispol, Prof. Vladimir Tartari dhe z. Astrit Tartari, nënkryetari i PD z. Petrit Ali Mullaj, si dhe ish-deputetja Prof. Dr. Liljana Elmazi.

Gjatë fjalimeve, u theksua rëndësia e figurës së Rexho Plakut si simbol i guximit dhe vendosmërisë për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Nderimi i tij u cilësua jo vetëm një detyrim ndaj të kaluarës, por edhe një frymëzim për brezat e rinj.