Arlind Qori sulmon Tik Lapajn: Është një provokator i shitur

Arlind Qori, kreu i lëvizjes Bashkë, ka reaguar publikisht pas sherrit para ministrisë së Brendshme me Adriatik Lapajn Të cilin e quan provokator dhe të shitur tek biznesmenë e politikanë, që i përmend me emër.

Statusi i Qorit

PROVOKATORËT NË PROTESTË

Nuk mund të kalonte pa provokime protesta e Lëvizjes BASHKË për të kërkuar transparencë për ngjarjen ku u përfshi polici fatkeq Azbi Spahiu dhe i biri i oligarkut Samir Mane. Nuk mjaftuan gënjeshtrat e Ministrit të Brendshëm, fjalët kodra pas bregut të Sali Berishës dhe heshtja e mediave. Samir Manes dhe Edi Ramës u duheshin edhe provokatorët.

Hyn në skenë provokatori i parë, një djalë i gjatë që në fillim të protestës del përpara kamerave dhe nis të shajë Lëvizjen BASHKË se po e përdor protestën për vota. Pas kërkesave të panumërta ndaj policisë për të larguar prishësin e protestës që shtyhej e shante kë t’i dilte përpara, më në fund policët e larguan.

Pas thirrjeve të shumta kundër oligarkisë dhe qeverisë, nisën fjalimet. Unë e kam regjistruar emrin të katërtin. Pas fjalimit tim ia jap mikrofonin drejtuesit të protestës, pedagogut Redi Muçi. Kur kthej kokën shoh që në majë të podiumit të Lëvizjes BASHKË – në protestën e thirrur më parë se kushdo tjetër nga Lëvizja BASHKË dhe për të cilën Lëvizja BASHKË kishte marrë edhe lejen në polici – kishte mbirë Adriatik Lapaj dhe po kërkonte të merrte me forcë mikrofonin. Redi Muçi me qytetari po i thoshte se në protestë flitet me radhë dhe kushdo që do të flasë duhet të shënojë më parë emrin në listë dhe të presë radhën. Kështu që mjaftonte të respektonte rregullat dhe radhën dhe do t’i jepej fjala sa të donte.

Ku hante pykë nga argumentet dhe qytetaria gjeli në majë të podiumit?! Ku donte t’ia dinte ai se radhën për të folur e kishte ish-minatori pensionist Qani Shino?! O i hapej rruga, siç iu hap rruga të birit të Samir Manes, o do bënte skandal. Për të zaptuar foltoren i erdhën në ndihmë edhe ca djem trupmëdhenj që shtynin e shanin vajza, djem e pleq që kërkonin vendosjen e rregullit në protestë.

Ky akt i turpshëm provokimi nuk ka ndodhur asnjëherë në 34 vjet pluralizëm në Shqipëri. Një parti (Lëvizja BASHKË) thërret protestën. Pas disa orësh një tjetër parti thërret protestë në të njëjtën orë e në të njëjtin vend. Pastaj vijnë në protestën e Lëvizjes BASHKË dhe orvaten të marrin fjalën me dhunë. Përpara këtyre edhe Flamur Noka duket xhentëllmen.

Se çfarë i ka motivuar këta provokatorë nuk jam i sigurt. i paguan Samir Mane apo janë gati të bëjnë gjithçka dhe të thyejnë çdo normë shoqërore e politike për egon e tyre të sëmurë dhe sensin delirant të protagonizmit? Koha do ta tregojë. Ama e sigurt është që ai provokim i shëmtuar dhe i qëllimtë i ka shërbyer Samir Manes, Edi Ramës dhe të gjithë llumit që na qeveris prej dekadash.

Lëvizja BASHKË do t’i vazhdojë protestat për të kërkuar të vërtetën për rastin e policit Azbi Spahiu. Nesër në orën 17:00 u bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkohemi sërish përpara Ministrisë së Brendshme për të kërkuar transparencë dhe shkarkimin/dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm.