Deputetja e Sarandes: U prekën me ligj zonat e mbrojtura, në fokus vetëm ndërtimi

Deputetja e Partisë demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se, investitorëve strategjikë i janë 5.8 milionë m2 tokë në të gjithë vendin.

Në interpelancën e kërkuar me ministren e Turizmit dhe mjedisit, Mirela Kumabro për ecurinë e zbatimit të ligjit për zonat e mbrojtura, Zhupa tha se, në shkurt të këtij viti, në një seancë të turpshme u kalua ligji i ri për zonat e mbrojtura, një ligj, sipas saj, klientelist që zhdukte përfundimisht mbrojtjen e  këtyre zonave me rëndësi jetike, jo vetëm për mjedisin në Shqipëri, por për historinë, për identitetin, për shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

“Ministrja e ndërtimit, Mirela Kumbaro, sepse e dini që ka fokus vetëm ndërtimin, e mohoi që do të prekeshin zonat e mbrojtura, por u deshën vetëm 7 muaj që të miratoheshin plot 9 pr/vendime për zona të mbrojtura, që është publikuar në datë 27/09/2024 në Fletoren Zyrtare, ku vihet re ulja e mbrojtjes, kalimi i tyre nga shkalla e parë e mbrojtjes në shkallën e tretë të mbrojtës”, u shpreh Zhupa.

Deputetja e PD theksoi se, “në funksion të betonizimit të zonave të mbrojtura keni vendosur që me një deputete të qarkut tim që nuk shquhet për mbrojtjen e qarkut në këtë parlament, të shtyni për të pestën herë afatin e ligjit për investimet strategjike”.

“Këtë gjë e bëni sepse, ju tashmë, me ligjin e përkohshëm, medemek që nga viti 2015, që e keni shtyrë 4 herë dhe e programoni ta shtyni të pestën herë, keni dhënë 5.8 milionë m2 tokë investitorëve strategjikë në të gjithë vendin. Ju jeni terroristë mjedisorë”, u shpreh Zhupa.

“Pasi e keni mbaruar të gjithë tokën publike që mund t’i jepnit investitorëve strategjikë, tani keni programuar të hyni në zonat e mbrojtura dhe ndryshimi që propozoni është që jo vetëm të zgjatet afati, por deputetja propozon që t’i jepen në përdorim investitorëve strategjikë dhe brigjet e deteve, lumenjve, liqeneve për stacione plazhi”, tha Zhupa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *