Vijojnë përpjekjet për vendosjen nën kontroll të zjarrit në Delvinë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot për zjarrin në Delvinë.
Balla u shpreh se, shërbimet zjarrfikëse, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura po vijojnë përpjekjet për vendosjen nën kontroll të zjarrit, i cili shtrihet në një sipërfaqe të madhe.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 dhe janë aktive 3 vatra zjarri.
Sot puna po vijon në bashkinë Delvinë, ku është aktive vatra e zjarrit sipër Manastirit dhe fshatit Kakodhiq.
Në bashkinë Gjirokastër, efektivët e Forcave të Armatosura dhe ato të emergjencave vendore kanë nisur punën prej orëve të para të mëngjesit për shuarjen e vatrave të zjarrit mbi Malin e Gjerë, ku flakët kanë një një shtrirje 10-12 km dhe janë të shpërndara në 3 vatra.
Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë dje, pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, ku ndërhyrja paraqet vështirësi për shkak edhe të terrenit shumë shkëmbor.