Regata “Brindisi-Vlorë” mbyll siparin në Marina Orikum: Artan Dulaku fton garuesit në Marinën e Limion-Sarandës
Eventi spektakolar turistik, ai i Regatës së Salentons në Marinën e Orikumit, kulmoi mbrëmjen e së shtunës me ndarjen e çmimeve për fituesit.
Në edicionin e tij të 13-të dhe në të tretin vit radhazi në Marinën Orikum, në garë morën pjesë një numër rekord garuesish, të cilët për disa orë përshkruan Kanalin e Otrantos, për të mbërritur në gjirin e Vlorës. Për presidentin e Lega Navale Italiana aktiviteti po behët gjithmonë e më mbresëlënës në Vlorë.
“Jemi në edicionin e 13 të regatës Brindisi-Vlorë, një event që po rritet vit pas viti. Këtë vit patëm 51 veliera pjesëmarrëse dhe jemi të kënaqur. Mendojmë se në vitet pasuese do të kemi një pjesëmarrje edhe më të madhe. Këtë vit në garë ishte një anije shqiptare, por mendojmë së vitin tjetër do të ketë më shumë”, tha president i “Lega Navale Italiane” Salvatore Zarcone.
Ishte një garë plot emocione kjo e regatës, e cila dhuroi momente të bukura edhe për pjesëmarrësit të cilët vlerësuan kushtet dhe mikpritjen në Marina Orikum.
“Marina Orikum është një vend miqësore dhe i mrekullueshëm. Komunikuam në telefon për ndalimin tonë në marinë dhe përgjigja ishte e shpejtë. Stafi që gjetëm ishte shumë mikpritës. Jemi të kënaqur jo vetëm me marinën, por dhe motin e mirë”, tha një drejtues jahti nga Gjermania.
“Jemi të nderuar të marrim pjesë në një event, i cili ka një rëndësi, pasi lidh dy popuj që historikisht kanë qenë vëllezër. Por sot është një moment i rëndësishëm për të lançuar një tjetër projekt të rëndësishëm ku përfitues nuk është vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani. Është panairi i parë i dedikuar detit “BSF”, që do të zhvillohet këtu në Marina Orikum. Do të mbahet vitin e ardhshëm dhe është një mundësi për të gjithë të rinjtë, që duan të bëhen pjesë”, shtoi Projekt Lider i BSF Monica Panozzo.
“Ne si marinë marrim pjesë për herë të katërt në këtë regatë. Ishte kënaqësi të pranonin ftesën nga presidenti i “Lega Navale di Brindisi”, pasi ky event po behët çdo vit dhe më i rëndësishëm. Këtë vit ne mbërritëm të dytët në destinacion”, u shpreh kapiteni Guido Paganeli.
Me një pjesëmarrje të gjerë jo vetëm të garuesve, por dhe të autoriteteve italiane dhe shqiptare, u zhvillua dhe ceremonia e çmimeve. I pranishëm ishte kryebashkiaku i Vlorës Dredha dhe konsullja e Italisë në Vlorë, Iva Palmieri.
“Pjesëmarrja e lartë në këtë regatë tregon për një vëmendje më të shtuar dhe na vjen mirë, pasi aktivitete të tilla na japin orientimin e saktë dhe tregojnë se kjo marrëdhënie mes Shqipërisë dhe Italisë është shumë e fortë ndër vite”, tha kreu i Bashkisë Vlorë Ermal Dredha.
Marina Orikum është porti i cili bën të mundur realizimin e një aktiviteti të tillë. Pjesëmarrja dhe imbarkimi i velierave gjatë këtij eventi ishte gati 50% më shumë se një vit më parë dhe kjo është dëshmi e investimit të grupit “Concord Investment”. CEO i grupit njoftoi një lajm të rëndësishëm për pjesëmarrësit, por edhe për turizmin në tërësi që lidhet me portin e Sarandës.
“Dua të falënderoj Salvadoren se po bën një punë të shkëlqyer. Nga 33 që ishte pjesëmarrja një vit më parë, këtë vit është 51, thuajse 50%. Kjo rritje do të vijojë. Vitin tjetër kemi objektiv të arrijnë në 100 veliera. Po bëjmë gjithçka që kjo të realizohet. Një vit më parë ju premtova se do të hapnim për garën e ardhshme portin e Limionit në Sarandë. Dua t’ju them se ai është gati për të gjithë ata që duan të kalojën nga Saranda”, tha Artan Dulaku, CEO i grupit “Concord Investment”.