Përshtypjet e qytetarëve për Tunelin e Llogorasë: Një vepër e madhe, kishim vite që e prisnim
Tuneli i Llogorasë, 5.9 km i gjatë është hapur për kalimin e mjeteve, duke shkurtuar distancën drejt jugut, sikundër dhe rritur sigurinë rrugore.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale përshtypjet e udhëtarëve të parë në tunelin e Llogorasë.
Ata vlerësuan hapjen e tunelit, teksa u shprehën se ishte një ëndërr që më në fund u bë realitet.
“Rruga shkurton distancën, ul kohën. Shkëlqyeshëm! Mund të them që është më i miri në Europë. Kam shëtitur gjithë Europën”, shprehet një nga qytetarët në dalje të tunelit.
“Një vepër e madhe, punë e shkëlqyer. Ta gëzojnë shqiptarët kudo ku janë! Edhe të huajt bashkë me ne”, shprehet një tjetër
“Një zgjidhje e mirë, kishim vite që e prisnim. Fantastike! Ta gëzojmë se kemi vuajtuar gjithë jetën. Shpëtuam ”, shprehen të tjerët.
Por tuneli do t’u shërbejë jo vetëm qytetarëve shqiptarë, por edhe turistëve të shumtë që prej disa vitesh po zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre.
Disa prej tyre, të cilët edhe kaluan sot përmes tij, thanë se tuneli është një vepër e mirë.
“Bukur! Komplimente!”, thotë një pushuese italiane.
“Shumë, shumë mirë“, thotë një tjetër një anglisht.
Tuneli i Llogorasë, një nga veprat infrastrukturore të kategorisë së rëndësishme për sa i përket tuneleve edhe në rang Europe, pasi futet në tunelet e gjatësisë së madh do të qëndrojë i hapur gjatë sezonit veror, ndërsa në vjeshtë do të rinisin punimet, kryesisht për sinjalistikën dhe detaje të tjera të vogla. Ai do të hapet përfundimisht në 2025 dhe do të jetë me pagesë.
Tuneli nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Duke kaluar përmes këtij tuneli prej 5.9 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, kjo rrugë nga sot përshkohet për 7-8 minuta.