Burgjet, 5 ditë leje Alfred Belerit
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve miratoi lejen për Alfred Belerin, në mënyrë që të udhëtojë i vetëm për të bërë betimin si eurodeputet në Parlamentin Europian në Strasburg.
Beleri i cili po vuan një dënim të formës së prerë me 2 vite burg për blerje të votave në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, pritet të udhëtojë të hënën, në 15 korrik drejt Francës. Ish-kandidati fitues në zgjedhjet lokale në Himarë përfitoi nga një komision i burgut të Fierit leje shpërblyese.
Ai kishte kërkuar lirinë për 5 ditë, nga data 15 deri në 20 korrik, duke argumentuar se sa kohë ka respektuar të gjitha rregullat e burgut, ka afro 3 muaj dënim për të vuajtur mund të përfitojë nga leja shpërblyese.
Komisioni i cili shqyrtoi kërkesën, kërkoi nga Beleri të dhënat e plota të udhëtimitm vendin e qëndrimit dhe respektim të kohës së qëndrimit. Në rast të thyerjes së rregullave të lejes, Beleri rrezikon të hetohet për një akuzë të re.
Beleri u gjet fajtor nga dy shkallë të gjyqësorit në Shqipëri për korrupsion në zgjedhje, teksa gjatë kohës që po gjykohej u kandidua nga qeveria greke për eurodeputet dhe fitoi.