Aplikacioni “TEA”, kalendari digjital turistik
Prej disa javësh aplikacioni “TEA” ka ardhur në variantin e përmirësuar duke ofruar më shumë informacione për pushuesit dhe turistët e shumtë.
Edhe vetë Kryeministri Edi Rama solli në vëmendjen e të gjithë atyre që do të eksplorojnë këtë verë Shqipërinë që të përdorin aplikacionin “TEA”, si një guidë e mirëfillte turizmi në çdo smartphone.
Në aplikacion gjenden jo vetëm eventet kulturore dhe artistike, por edhe çdo shërbim rreth vendpushimeve apo zonave turistike të vendit nga Veriu në Jug. Gjithashtu shërben për orientimin e turistëve, të cilët përveç bukurive natyrore mund të shijojnë dhe mësojnë më shumë rreth traditës, si dhe të marrin informacion për destinacionet e ndryshme.
“TEA” ofron çdo gjë që iu nevojitet, nga hotelet te restorantet, bankomatet, farmacitë deri te shërbimet e ndryshme të emergjencës.
Aplikacioni “TEA” është një risi teknologjike për turizmin shqiptar, qe u konceptua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, si një kalendar digjital, i cili ofrohet për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës.
E mbi të gjitha “TEA” është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat smart.