43 minuta për 50 vite gazetari: Dokumentari “Pena”, gjysëm shekulli gazetari i Thoma Nikës
Filmi Dokumentar “Pena” ishte Premierë mbrëmë në ekranin e madh të Fan Zone të Sarandës, një natë përpara finales së madhe të Euro24.
Qytetarë, intelektualë, personalitete të ftuar dhe njerëz të medias, ndoqën me kërshëri dhe emocion një produkt filmik, dedikuar rrugëtimit gati 50-vjeçar të gazetarit sarandiot Thoma Nika në këtë profesion.
Dokumentari “Pena” la shijen e një produkti të ndërtuar sipas një eksperience perëndimore, mbi narrativën e një protagonisti të vetëm, siç ishte gazetari Nika, të ekranizuar mjeshtërisht nga Vranin Gecaj.
Gecaj është një dokumentarist ndërkombëtarisht i njohur, një shqiptar i Kosovës me karrierë të admirueshme në këtë fushë, në mjedisin e një vendi si Suedia, ku ka bërë emër me realizimin e një kolane dokumentarësh.
Tregimi i sinqertë i eksperiencës së gjatë të punës në media në të dy sistemet, nga gazetari Nika, bëri dallimin e madh mes propagandës së djeshme dhe zëdhënësit të publikut sot. Rrëfimi filmik u ndal në refleksione të dobishme për profesionistët e kësaj fushe në të dy kohët.
Përmes sekuencave të dokumentarit “Pena”, u dhanë nënvizimet e dobishme për ruajtjen e raportit me të vërtetën nga gazetarët sot. Si një konkluzion i eksperiencës, erdhi apeli që raportuesit e lajmit apo kronikave sot, të shmangin spekullimet me të vërtetën dhe që teknologjinë dixhitale ta kthejnë në avantazh për informimin e publikut me shpejtësi, por edhe me saktësi e korrektësi.
Premiera e Filmit Dokumentar “Pena” u prit me interes të veçantë nga gazetarë të njohur në shkallë vendi, miq e kolegë të gazetarit Thoma Nika.
I pranishëm ishte edhe Kryetari i Ubionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.
Përtej rrëfimit për momente biografike, tregimi filmik i Thoma Nikës solli në ekran vlera të përcjella nga kronika e qytetit në gati 50 vite dhe qasjen për ta vizionuar të sotmen e të ardhmen, duke çmuar misionarët e fjalës së lirë dhe duke zbuluar e nxitur nisma qytetarie.