“Syri i Kaltër”, oazi i magjishëm për turistët, vendi ku përveç bukurisë ofrohet edhe kulinari e pasur
Syri i kaltër i vendosur mes Sarandës dhe Gjirokastrës është një prej destinacioneve më të frekuentuara nga vizitorë vendas e të huaj. Turistë të shumtë që vizitojnë këtë park të magjishëm natyror nuk tërhiqen vetëm nga bukuria dhe hedhjet në ujërat e ëmbla të “Syrit të Kaltër” ,por duan të shijojnë edhe kulinarinë e larmishme që ky vend ofron mes qetësisë dhe freskisë.
“Unë jam nga Rusia ,por jetoj në Greqi. Është hera jonë e parë që vijmë në syrin e kaltër. Këtu është shumë bukur ,ka gjelbërim ,është një vend fantastik edhe për fëmijët. Përveç natyrës dhe qetësisë ky vend të ofron edhe të provosh gatime shumë të shijshme ,të cilat unë I provova së bashku me familjen time .Nëse do të më jepet mundësia do të vij përsëri”, tha një turist.
Ndërkaq turistë të cilët vijnë për herë të parë në këtë park natyror janë të interesuar për ushqimet tradicionale po aq sa për natyrën. Sipas shefit të kuzhinës Tomor Derka ky sezon po sjell fluks turistësh, të cilët nuk ngurrojnë të provojnë gatimet që ai përgatit.
“Ndihem shumë e lumtur që po vizitoj për herë të parë këtë vend .Kam ardhur me shoqërinë time, është një vend mahnitës ,ku natyra të jep relaks, por ndërkohë në këtë vend shijuam dhe ushqime që nuk I kishim provuar më parë”, tha një turiste.
Parku natyror i “Syrit të Kaltër” është kthyer në një prej atraksioneve më të pëlqyera turistike ,ku çdo turistë që viziton Shqipërinë nuk mund të largohet pa provuar këtë eksperiencë.