Erisa Xhixho dhe Manjola Nikollo të “shqetësuara” për transformimin e rrugëve në Sarandë
Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka postuar disa foto nga transformimi i rrugëve të Sarandës.
Përmes një postimi ajo shkruan:
“Kjo është gjendja e rrugëve në Sarandë vetëm pak ditë para nisjes së sezonit të ri turistik.
Rrugët e hapura, plot inerte, kaosi i trafikut, zhurmat dhe pluhurat janë panorama që pret turistët e parë të këtij sezoni në jug të Shqipërisë.
Shqipëria përfitoi 4.2 miliardë euro nga turizmi sezonin e kaluar, por qeveria nuk ka përmirësuar dot infrastrukturën për të pritur turistët e rinj, por i çoi paratë për koncensione, PPP dhe inceneratorë fantazëm
Objektivi për 30 milionë turistë në vit është totalisht propagandë e paarritshme me politikat e kësaj qeverie, që synon turizëm elitar por nuk plotëson dot as kushtet më minimale.
Kjo nuk është fytyra e turizmit elitar që propagandon kryeministri!
Ky është tregues i mungesës së qartë të një strategjie për turizmin dhe i nxitimit për të mbyllur ca punë shpejt e shpejt, sepse qeverisë i intereson të shesë një sukses numrash, qofshin këta turistë apo jo!
Shikoni realitetin që hedh poshtë çdo propagandë!”, shkruan Xhixho.
Një reagim ka bërë dhe kryetarja e Rithemelimit të Sarandës, Manjola Nikollo.
“Punimeve jashtë kushteve teknike-inxhinierike u ‘plasën ujrat’.
Dje një segment i rrugës ‘Skënderbeu’ u shtrua me beton duke supozuar që punimet e infrastrukturës ujësjellës-kanalizime ishin sistemuar sipas standardeve.Por para se të fillonte të shtrohej dhe me gurët dekorativ filluan të dilnin disa burime ujore nëntokësore,si atraksion më i ri turistik i qytetit tonë
Ju lutem,më mirë vononi dhe pak por bëni punë të saktë,që mos të filloni në shtator ti ‘shqepni’ rrugët nga fillimi!”, nënvizon ajo.