Personazh: Saranda ka një Elvis Presley
Nga Thoma Nika
Një djalë I burrëruar më shumë se mosha nga një palë borseta të tipit “Presley”, që shigjetohen në drejtim të nofullës, por edhe me “sconton” që I bën kësaj moshe veshja më shumë se ekstravagante, kishte nisur të tërheqë mijëra shikime duke shetitur udhëve të qytetit jugor. Për disa ishte i panjohur, por më të shumtët e kishin “fytyrë të parë”.
Sa për miqtë e tij e të familjes, ai është “Oresti i Milës”, djaloshi me tipare gjithnjë tërheqëse, siç i kish përpara se ta këmbente Sarandën me Korfuzin.
Për gjimnazistët e sotëm është e kuptueshme që është “i panjohuri”. Gjithësesi, ai ngacmon dëshirën për ta parë edhe një herë, për imazhin e artistit të madh që të jep qysh me shikimin e parë. Nuk ka munguar edhe në oborrin e gjimnazit dhe në mjediset e brendshme të tij. Së bashku me partnerët që e shoqëruan në ëndrrën dhe aventurën e tij të përhershme, kishte qenë aty për t’i ftuar në koncertin e tij.
– Askush nuk më ka pyetur: ç’është ky koncert?- thotë Oresti. – Siç duket, paraqitja ime shumë e ngjashme me artistin botëror dhe me idhullin tim Elvis Presley, ma ka bërë pak më të lehtë përballimin e kësaj aventure, që tani më është bërë zanat.
Ç’domethënë ky zanat?
Dhe ai rrëfen udhën që ka bërë, i shoqëruar nga kjo ëndërr.
– Pas Presley isha “i çmendur” që 30 vite të shkuara. Për 7 vjet atë zë e kam dëgjuar në klandestinitet, në vetmi, se nuk mund ta mendoja tim atë, kapitenin e nderuar të marinës Aleks Kovi, larg drejtimit të katerit të Marinës, pa lirinë e tij në hobin e peshkimit dhe të krijimit. A e kujton se ç’do të thoshte të këndoje “dekadentë” si Presley në 83-shin, apo 89-ën?-pyet ai, pa kërkuar përgjigje.
Thotë se meloditë dhe ritmet e tij i jetonin prej vitesh në shpirt. Por “zëri” i këngëve të të adhuruarit të tij i erdhi duke punuar kamarier në “Guvja” të Korfuzit.
– U këndoja njerëzve këngë italiane, angleze, kur në restorant binte qetësia. Dhe mora reagime që më ngrohën zemrën.
Për t’u bërë një “Presley” i vërtetë, Oresti kujton se sa e çmuar ishte dhurata më e paharruar, që i bënë disa klientë anglezë, të miqësuar me të. Seria e CD-ve me muzikë të Elvisit-kishte qenë dhurata. Por vetëm muzikën, sepse fjalët dhe zëri do të ishin të vetë Orestit. Duke punuar në lokalin “Melody”, i tha një darkë pronar Minait:
– Po sikur të këndoj diçka të mirë për klientët?! Them se do t’i kënaq e ata do të shpenzojnë më shumë për lokalin tënd- i pati thënë.
Dhe ai pranoi. Atë darkë ai do ta mbajë mend se si u mbush salla. Ky hap e kurajoi të bëjë rrugën dhe jetën e artistit, duke e braktisur përfundimisht tabakanë e kamarierit.
– Këndova edhe në bandën më të vjetër filarmonike, në Liston të Korfuzit -thotë Oresti.
Atje u bë protagonist edhe i një emisioni muzikor në kanalin televiziv “Alpha”, duke marrë kështu edhe “statusin” e imituesit të njohur të atij që bota e njeh si mbretin e rock&rollit.
Oresti thotë se “sozi” të tij në skenë ka vetëm në Angli e Amerikë. Dhe i vjen mirë që mes njerëzve që e njohin si Orest, të njihet edhe si imitues i këngëtarit të shekullit.
– Arësyeja është e thjeshtë – shpjegohet ai- se Elvis ka qenë i madh dhe i paimitueshëm. Ai ishte i pari që i dha ritmin muzikës. Prandaj kënga e tij nuk vdes, edhe pse vetë krijuesi I kësaj rryme ka gati një gjysmë shekulli që nuk jeton.
Tregon se edhe me Terezën, vajzën suedeze, me të cilën pat ardhur në Sarandë, është njohur pas suksesit të një mbrëmjeje imitimi. Ajo e priti për ta falenderuar për imazhin e mrekullueshëm të Presley-t. E kjo do të ishte porta e ndjenjave të tyre. Tereza na thotë se, veç të tjerash, asaj i pëlqen shumë ajo çfarë Oresti ishte duke bërë në skenë.
Puna e tij atje në Korfuz ishte ajo e imituesit të të vetmit këngëtar të zemrës. Edhe ngjitjen në skenën e Sarandës ai e çmon thjesht si t’u përgjigjej bashkëqytetarëve të vet, kur ata e pyesnin se ç’punë bën në “kurbet”.
Ua tregoi këtë ngacmim të shpirtit edhe njerëzve të tjerë të skenës në Sarandë. E ata iu bënë mbështetje e ngrohtësi. Edhe falë tyre, në skenë dha një Presley të shpërblyer me duartrokitje të sinqerta.
Pjesë e performancës së imituesit të besueshëm e të këndshëm, përveç zërit “live” dhe fjalëve të kënduara në anglisht e italisht, ishte edhe veshja, edhe ritmi.
– Mënyra e krehjes së flokëve “pis të zes”, modeli I qepjes dhe kolori i pantallonave të gjera, e tërë veshja dhe kërcimi në skenë janë të gjitha një imitim – tregon Oresti.
“Literatura” e tij janë videokasetat e Elvis Presleyt, por edhe websitet e internetit, në dritaret e të cilave sheh dhe krahasohet me imituesit e tjerë të artistit të madh që ka bota.
Diku-diku Oresti thotë se e gjen veten më lart. Dhe për të na bindur që kjo nuk është një pandehmë e tij, këtë po e tregon përditë e sidomos mbrëmjeve verore, në lokalin e vet që mban tabelën “Elvis Presley” Show Bar. Një Bar modest, i cili kthehet edhe në skenë dhe sallë modeste, ku gjithçka që porosit jep shije plus, shoqëruar nga repertori i këngëtarit botëror, që jetoi si mbret i rok&rollit.
Një klient i huaj huaj në një nga këto mbrëmje, iu afrua dhe e pyeti seriozisht:
– Në cilin shtet të Amerikës jetoni?
Orestit i mjafton që është shqiptar dhe i duket se ka treguar tërë pasurinë, kur thotë se është një djalë I Sarandës dhe një imitues pasiobabt i Elvis Presley-t.