PERSONAZH: Mjeshtri i plakjes ngadalë
Nga Thoma Nika
E themi dhe e pranojmë si një aksiomë, se nuk gjendet qytet më i mirë se Saranda, për të kaluar vitet e pensionit. Natyrë e qetë dhe njerëz të qetë, klimë e ngrohtë dhe e butë, me stola buzë shetitores dhe me vende ku mund të shtysh orët me një dorë letra apo domino.
Kjo është pleqëria?
Për një takëm, po.
Por Shefqet Leka nuk takohet gjëkundi me këta. Nuk është takuar kurrë. Në kohën e punëve “me temp ushtarak”, jo se jo. Por as tani, as deri sot, që ecën në të 95 vitet.
Doemos, ka qenë dikur i ri, simpatik, siç e jep edhe tani fytyra dhe shtati i tij. Dhe energjik e komandant i rreptë dhe i drejtë.
Një matjan i zbritur nga Macukulli, i bërë një me historinë e Sarandës dhe sarandiotëve. Ndaj i thonë edhe “Matjani i Sarandës”. Për shkak se prej 68 vite më parë bëri karrierë ushtarake në Delvinë e Sarandë. Por ndërtoi edhe miqësi të forta e bëri emër të mirë, si njeri i virtytshëm.
Sot numëron 39 vite në pension. Më shumë se sa i duhen gjithkujt vite pune, për të përfituar pensionin e pleqërisë. Po si mund t’i thuash pensionist Shefqet Lekës?!
Do të duhet të ngrihesh herët, që ta shohësh Shefqetin duke bërë ritualin e çdo dite të re, kur mëngjesi ende nuk ka zbardhur.
Kohë e mirë apo e keqe, me shi apo e thatë, me temperaturë pranë zeros apo nën të, kjo nuk lëviz asgjë në agjendën e lëvizjes dhe të ecjes në natyrë, të këtij njeriu. Brenda një dite fut shumë jetë, si një mënyrë të sigurtë që shifra e viteve të mund të pjesëtohet me dy.
E dimë mirë çfarë është plaku dhe pleqëria plot kusure: Muzika e kollës, trokitja e bastunit, kërrusja e trupit, therja e kockave, zvarritja e këmbëve, qesja e ilaçeve, grumbulli i tespijeve, mali i ankesave: “më dhemb atje, më dhemb këtu”.
Por çfarë plaku mund t’i thuash Shefqet Lekës, kur asnjërën nga këto ankesa e nga këto “kusure” nuk i ka!
Këtyre shenjave dhe vetë pleqërisë ai i ka thënë “tutje!”.
Atë as në rininë e pleqërisë nuk e ke. Në pleqërinë e thellë, jo se jo. Dhe duket si një shaka pa kripë, kur thotë se ka 39 vite me radhë, që mban librezë pensioni.
Kuptojmë se ai nuk bën shaka, kur thotë se në çdo moshë, nuk ka ndodhur ndonjëherë që dielli ta gjejë në krevat, Por as shiu dhe era nuk ka ndodhur ta mbyllin brenda mureve të shtëpisë, në katin e katërt, në lagjen Kodër të Sarandës.
Ai di vetëm të ecë, i programuar pa u ndalur për të bërë shetitjen e tij nga Kodra në Kanalin e Çukës, si një prej “sekreteve” të plakjes ngadalë, fare ngadalë.
Përjashtim nga ky rregull, bëjnë vetëm ditët e numëruara, kur nuk ka qenë në formën e tij më të mirë. E natyrshme kjo, apo jo?!
Të gjithë njohim të rinj, që “shpërdorojnë” rininë e tyre me gjumin deri afër mesditës, me vrasjen e kohës para filxhanit të kafes, me vrapin drejt farmacive për një kollë të lehtë, apo me teprimin e përdorimit të makinës, edhe kur shkojnë për kafe.
Modeli Shefqet Leka është e kundërta e tyre, një jetë me shumë lëvizje, që rrallë e sheh edhe të ulet.
I kërkova një moment që të më rrëfehej ulur për jetën e vet. Nuk më tha “jo”, dhe u ul mbi një pjesë metalike të kupolës së bunkerit poshtë Lëkurësit, atje ku ai ka shërbyer si ushtarak dekada më parë. E para gjë që bëri, ishte të bindej që vendi ku do të ulej të ishte i pastër, se atij nuk i ngjit as qimja.
E dyta, kur u ngrit, u ankua se nuk është mësuar të rrijë ulur dhe u çua me ndjesinë e mpirjes.
I kundërt në kulm me shumë moshatarë të tij e madje edhe shumë më pak të moshuar se ai.
I kundërt edhe me mosha të reja, që preferojnë të rrinë më shumë ulur, se sa në këmbë.
– Duket bukur, tha, kur vjen rrezja e diellit e ajo të ta bëjë zgjimin në shtratin tënd. Por kjo është kënaqësia e dembelit, e atij njeriu, që nuk e kap ditën, por dita e kap atë.
Në mëgjese të panumërt, dielli nxjerr kokën midis kodrës së Lëkurësit. Por Shefqeti nuk pret të lindë dielli, që të nisë aktivitetin ditor, aktivitetin jetësor. Nga apartamenti i tij, ende pa nisur mirë dita e re, ai nis udhëtimin e përditëshëm. Për ku? Cili është itinerari që ndjek?
– Midis dy K-ve, thotë: Kodër-Kanali i Çukës.
Rrëfen se edhe mërzitet, nga që rrallë takon njerëz që e shohin jetën si ai, në këtë udhëtim. Po aq, kënaqet tek sheh njerëz ta nisin ditën duke ecur, apo duke vrapuar. Jo për të zënë autobusin e parë, si dikur, por për të qenë të parët që i bëjnë zgjimin trupit dhe qytetit. Me ata shkëmben “mirëmëngjesin” e parë. Por Shefqetin e trishton që ata janë të paktë në numër dhe që ende numëron e njeh më shumë njerëz gjumashë. Të tjerë, që janë në timon, e përshëndesin edhe pa e njohur, duke i rënë borisë. Të gjitha janë përshëndetjet e para që merr. Nga të njohur e të panjohur. Nuk ka rëndësi e njohin apo jo. Përshëndetja e tyre, në mënyrën e tyre, është shenjë admirimi për zgjedhjen që ky njeri ka bërë dhe bën për fizikun dhe shëndetin e tij të mirë. Shefqeti u ngre dorën plot dashamirësi, prej njeriu “bablok”, në atë qetësinë dhe ritmin e ritualin e tij. Të gjithë çfarë takon e me të cilët shkëmben përshëndetjen e parë të ditës, përfshi edhe ata tinguj borie, janë miqtë e tij anonimë.
Të gjithë i ka miq, të njohur e të panjohur. Vetëm një “armik” të madh e të përjetshëm ka në jetë Shefqet Leka. E dini cili është? Ai është KREVATI.
Disa kanë “armik” atë që është miku i tij. UJI.
Nuk do ta besoni, por ai, në çdo moshë e në çdo stinë, nuk ndahet dot nga ky mik i ngushtë: UJI.
Thotë se lahet me ujë të ftohtë çdo mëngjes, përpara se të nisë ecjen. Kështu e ka pasur e kështu vazhdon ta respektojë këtë rregullsi, edhe sot, që po shkon drejt të 95-ave.
“Uji është jetë”, thonë kudo në Shqipëri. Se ai bie pastërtinë për njeriun dhe zhvillimin për bimët, për pemët e për lulet. Ndërsa për Shefqetin, UJI është edhe më shumë: është shëndet, fuqi dhe jetëgjatësi.
Sot oficeri në rezervë, kapiteni i parë i kulmeve të karrierës së tij ushtarake, është i mrekulluar, sepse jeton shëndetshëm. Kjo është jetë!
Nga kolegët e dekadave me radhë, të
Shoqatës së ish-Ushtarakëve, nuk ke shans ta shikosh të veçuar. Disa prej tyre janë nga ata që i kanë ndenjur në krah e në sup për dekada me radhë. Dhe po ata ia çmojnë karrierën ushtarake, kontributet që ka dhënë në fushën e mbrojtjes dhe të modernizimit të ushtrisë. Shumë prej tyre kanë qenë dëshmitarë të rritjes dhe karrierës profesionale, të korreketesës maksimale dhe të përkushtimit në çdo detyrë, të oficerit dinamik Shefqet Leka. Por jo më pak e admirojnë për stilin e jetës që bën sot.
Ky njeri i mirë, ka ndërtuar dhe ka zhvilluar edhe një familje të mirë. Plot 7 fëmijë sollën në jetë me shoqen e jetës, Aishen. 4 vajza dhe 3 djem. Shpesh i thoshnin me humor e dashuri, se kishte ngritur një repart ushtarak në shtëpi.
Edhe për arësyen e fortë, se Shefqeti reflektonte, përcillte e kërkonte, edhe në familje, rregullin e disiplinën ushtarake, tek çdo anëtar i familjes që ngriti.