Pjesë e grupit të montimit të minave me telekomandë, arrestohet i riu i shpallur në kërkim në Sarandë
Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit të koduar “Knock Out 5”.
I riu dyshohet se ishte bashkëpunëtor i dy shtetasve të arrestuar gjatë operacionit të zhvilluar një ditë më parë ku u sekuestruan 5 kallëpe tritoli (2 prej tyre të programuara për shpërthim në distancë), 7 kapsolla detonatore dhe municion luftarak
”Vijon operacioni policor i koduar “Knock Out 5”, si rezultat i të cilit, ditën e djeshme, u sekuestruan 5 kallëpe tritoli (2 prej tyre të programuara për shpërthim në distancë), 7 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.
Kapet dhe vihet në pranga 26-vjeçari K. Ç., i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i 2 shtetasve të arrestuar gjatë operacionit, për përgatitjen e lëndës eksplozive.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, mbi vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Knock out 5”, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e 26-vjeçarit”, thuhet në njoftimin e policisë.