Personazh 2024: Gazetari “Kid” i online-it
Nga Thoma Nika
Në Sarandë brenda po se po, por edhe në disa zona rurale, shpurës së gazetarëve që gjurmojnë lajmin me burim nga ngjarjet e ditës apo ngjarjet zgjedhore, shpesh i bashkohet edhe një “i mitur”, ose, siç kanë nisur t’i thonë: Gazetari KID.
Ky është Nikeas. Tashmë 15-vjeçar. nxënës në një nga shkollat e mesme të qytetit. Por shkëndija për të qenë a për t’u bërë një njeri i medias online, është ndezur tek ai më herët. Nikeas ishte produkti më befasues i stinës së zgjedhjeve 2021.
Me seriozitetin e një të rrituri dhe me “nuhatje” lajmëtari, “puna” e tij e asaj stine, ishte të përcillte lajmin elektoral. Për këtë, ka “harruar” shokët, ka lënë mënjanë çdo lodër, pasi “lodrat” e tij këtë muaj u bënë tripodi dhe smartfoni i tij, me të cilin “shkruan” planet filmike që i duken më të mirat për të ndërtuar kronikat e tij të takimeve elektorale.
Gjithçka nisi si detyrim për t’u vënë në shërbim të garës dhe konkurimit për deputet të të atit, Gjergji Manos,
Statuset e Gjergjit në llogarinë e vet në fb dhe jo vetëm, shoqëroheshin edhe me video. Të marra jo nga kamera profesionale, por nga këndvështrimi i Nikeasit, djaloshit që ëndërron dhe provon veten të bëhet gazetar.
– I kam vënë qëllim vetes të bëhem gazetar i madh në vendin tim- thotë Nikeas, duke hedhur shikimin në dekadat që vijnë.
Ai madje është qortues ndaj motrës së vet, që zgjodhi të studjojë në Greqi.
-Djali më është bërë shok dhe suport dhjetë herë më frymëzues në garën dhe konkurimin tim për në Parlamentin e ri, – thosh atëherë Gjergji Mano.
Nikeas e mbështeti si një gazetar i vërtetë me postimet e tij në rrjetet sociale, por edhe si youtuber, me kanalin e tij NMTelevizion.
– Pse, vetëm Edi Rama do ketë televizionin e tij!? – është retorika e Nikeas.
Tani Nikeas i është bërë “prapavijë” e sigurt Gjergjit dhe mjekut Ibrahim Bajrami, partnerit që ai ka zgjedhur në sipërmarrjen mediatike, që është emisioni “CrrosFire”. Vetë titulli shpreh një mision dhe një ambicie për t‘u folur njerëzve troç, për të thënë të vërteta me shije të mirë apo të thartë.
Ky është formati i kësaj medieje dhe kursi i dy moderatorëve partnerë, që ndiqen çdo të diel live në eter në të gjithë hapësirën. E pas tyre, tërë sy e veshë : aty mbi tasterën e titrimit, në pultin e komandimit të kamerave dhe në miksimin e planeve të drejtuesve dhe të ftuarve të tyre të radhës, është Nikeas. Ai, që shfaq bezdi po ta quash ende KID, pasi e dallueshme është se rrit veten çdo ditë.
Se çdo ditë përpjekja e tij për t’iu qasur ambicies për të qenë një gazetar i formuar i online-it, përparon dukshëm.