Personazh 2024: Çim Beqo, 12 muaj det dhe sporte
Nga Thoma Nika
Shkëlqim Beqon e gjetëm te rëra e Plazhit “Rinia” në Sarandë, bashkë me serfin e tij, me të cilin rrëshkiti mbi ujë dhe voziste si një shpend deti në hapësirën e Gjirit të Sarandës.
Rastisi një ditë diellore, kur dielli i pazakontë i dhjetorit, jo vetëm shkëlqente, por edhe ngrohte. Por edhe sikur deti të vinte tallaz, apo të binte shiu litar, e sigurt që Çimi do të bënte të njëjtën gjë:
Ose do lundronte mbi serfin apo kajakun e tij, ose do të bënte itinerarin rutinor me veshjen sportive mbi biçikletë, apo do të ushtrohej në një prej dhomave të shtëpisë buzë detit, që e ka kthyer në palestër familjare.
Jeta e tij është det, lëvizje, sporte uji dhe toke.
Për moshën nuk na bie ndër mend ta pyesim, posi forma e tij fizike bën të pabesueshme çfarëdo shifre që mund të thotë. Ka një shtat mesatar, por një trup muskuloz si të një të riu. Dallimi i tij prej të rinjve thotë se është të mos humbësh ditën në kafe e me telefon, të mos e vrasësh kohën me kotësira.
Shpesh Shkëlqim Beqo shfaqet me trup atleti, për t’u patur zili, duke rrëshkitur në pistën e pedonales apo në rambat e trotuareve. Ai rrëshket e ndihet vetën si erë, majë biçikletës së tij sportive. Ndodh shpesh që kalimtarët të kthejnë kokën e të bëjnë wow, kur e shohin të pedalojë duke mbajtur mbi shpatull edhe mikun e tij të mirë, që është papagalli Piko.
Palestrat janë dy llojesh: Deti, që është një palestër e mrekullueshme ujore, për të vijuar tek palestra më se e e pajsur, që ka pjesë të sipërfaqes së banimit, atje mbi Limanin e Sarandës. Atje Çimi ushtrohet pa toleruar asnjë ditë t’i kalojë bosh dhe ku muskujt i mban muskuj përditë. Duke kaluar në lloj-lloj aksesorësh, me dëshirë e vullnet të hekurt, me durim dhe guxim të kultivuar.
Në një aneks të shtëpisë gjendet vaska, që më saktë do të ishte të thuhej dhoma frigoriferike, me ujë gati të akullzuar, ku ai dhe partnerja zhyten dhe bëjnë “nxemjen” në dush të ftohtë. Kur del nga ky “dush”, me temperaturë uji 1-2 gradë dhe zhytet në ujërat e Jonit edhe në dimër, deti thotë se i duket “valë”.
A ka ai një sekret për të treguar edhe se si ushqehet? Sigurisht. Thotë se ha shëndetshëm: nga frutat e detit, tek perimet e frutat. Pa e tepruar asnjëherë me sasinë. E pas kësaj e pyesim edhe në sëmuret ndonjëherë gjatë vitit.
– Po- është përgjigja e tij- njerëz jemi, por çdo virus “bën një shetitje”, ndjehet keq dhe ikën, pa e zgjatur…
Në filozofinë dhe në zgjedhjen e tij qëndron qasja: është më humane dhe sociale, ta ndihmojmë dikë të ushtrohet në sporte, se sa ta ndihmojmë kur bëhet për në spital.
Korniza e sportit nuk është e nuk mumd të jetë gjithëpërfshirëse për portretin e Shkëlqim Beqos. Sepse ai e ka treguar veten jo vetëm në det e në sporte të ujit e të tokës. Ai është dikush edhe në hapësirën e në terrenin turistik të Sarandës. Në këtë truall, vit pas viti ka gjetur një rol për të luajtur: si ish administrator hoteli, si bashkëpronar në anije turistike, si pjesë e nismës për pastrimin e detit nga gomat, si organizator i shkollave të vozitjes me serfi. E së fundmi me klinikën “Doktor Fish” në Sarandë.
Shkelqim Beqo është aq i veçantë edhe në urimin si apel, që jep për 2024 nga Saranda: “Merrjani gëzimet jetës, duke përfituar nga deti dhe nga mali, nga klima e shëndetshme dhe mundësitë e pafundme, që Saranda jep për jetë të shëndetshme dhe cilësore!”- thotë ai. Në perceptimin e tij, Jeta është një udhëtim, të cilin e ke në dorë vetë ta bësh sa më të bukur të mundesh.
Nese do të kishte një konkurs dedikuar Personazheve të vitit, pa diskutim që Shkëlqim Beqo do të ishte njëri prej tyre e në krye të listës.
I rrallë, i veçantë, krjjues në llojin e vet dhe sfidues i vetes dhe shijues i të mirave e i çdo mundësie që Saranda ofron për të jetuar jetën.