Pa prof. Bardhin, Saranda do të na jetë e varfëruar në vlera
Nga Thoma Nika
Sot është dita e parë pa Prof. Bardhyl Maliqin. Pasi u shpëtoi kthetrave të vdekjes rreth një dekadë më parë, vullnetplotë ia doli të rehabilitohet dhe të jetë aktiv me kohë të plotë. Por ja ku vdekja i ngriti pritën e dytë dhe dita e sotme zbardhi me lajmin e humbjes së tij përgjithmonë.
Nje ikje sa e hershme aq edhe e beftë. Për mua, edhe aq e pabesueshme, që kafja me të e me miq të përbashkët, si shkrimtari i të dy anëve të kufirit, Dino Kubatis dhe zonja e tij Lili, do të kishte qenë e fundit, atje në kolltuqet e Hotel “Lindi”. E pash të ndjehej mirë e i vlerësuar, pasi u ulëm së bashku, me shkas që pak minuta më parë atë fund dhjetori, poetit, studjuesit, kritikut të letërsisë Bardhyl Maliqi i ishte dorëzuar Medalja “Aleksandri i Madh”. Akorduar nga “Kafeneja e Ideve”, një klub krijuesish e artistësh, që Kubatis e ka kthyer në Tempull Vlerash atje në Salamina të Greqisë. E urova Kubatin për kujdesjen sqimatare në selektimin e vlerave në fushë të krijimit. Urova edhe Prof. Bardhin për sebepin e ri. Urimet i shoqërova edhe me “qortimin”, se kjo nuk ishte një gjë që nuk bën lajm, për t’u mbajtur larg syrit të medias. U thash se mediatizimi i eventit ishte një nevojë për komunitetin e krijuesve e më gjerë, me interes për publikun lokal e në rrafsh kombëtar.
E dija se “pakujdesia”, për t’i kaluar shpesh titujt e vlerësimet e akorduara pa zhurmë e bujë, ishte një gjë karakteriale e Bardhit. Modestisht e butësisht do ta kalonte edhe “qortimin” për të njëjtën sjellje në eventin e “Aleksandrit të Madh”. Ky ishte Bardhyl Maliqi. Sa punëtor në fushën e krijimit, aq edhe “i pakujdesshëm” në atë të promovimit të vlerave të tij.
E kënaqte krijimi si proces dhe sidomos kur ato që linte pas pena a kompjuteri i tij, ktheheshin në botime librash të plota, apo ciklesh, essesh e analizash, që dallonin për gjetje origjinale, për argumenta dhe kompetencë profesionale.
Projekti më i fundit i Prof. Bardhit, që me siguri ikja e beftë nuk e la ta shihte të realizuar, ishte ai që kishte në bashkëpunim me shtëpinë botuese 2M. Pata kënaqësinë të bëhesha faktor ndikues, që libri i tij “Kambanat e Zgjimit”, të shikojë dritën e botimit falë suportit të Bashkisë së Sarandës. Bardhi u kujdes që në këtë libër, në më shumë se 400 faqe, të promovohen vlerat e autorëve saranditë kudo që ata jetojnë, brenda Shqipërisë apo në Greqi dhe vende të tjera evropiane. Pjesë e këtij formati promovues janë edhe autorë të tjerë, miq të sarandiotëve, me libra të prezantuar në Sarandë. Mbase ky do të mbetet i vetmi libër i Bardhyl Maliqit, i suportuar jo nga financat personale, pasi ai nuk shpenzonte energji për të kërkuar, por ppr të krijuar.
Duke menduar sot të gjitha ato që ia doli të japë Bardhyl Maliqi, nuk ka dyshim se Saranda, pa Bardhyl Maliqin, do të na duket e varfëruar në vlera.
Përveçse humbje për familjen, e tillë është ikja e tij edhe për këdo që e kishte mik të çmuar. Auditoreve tona do t’u mungojë studjuesi pedagogu skrupuloz, poeti i frymëzuar dhe frymëzues.