Apeli i GJKKO nuk i dha leje për t’u betuar, Beleri sulmon organet e drejtësisë: E porositur nga Rama
Fredi Beleri ka reaguar pas vendimit të Apelit të GJKKO-së për të mos e lejuar për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.
Beleri ka sulmuar organet e drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët. Sipas tij, vendimi për të mos u betuar është marrë me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama se nuk do që të lëshojë Bashkinë e Himarës.
Reagimi i plotë:
Sot Gjykata e porositur prej pushtetit politik, goditi edhe një herë zgjedhjet në Himarë. Gjashtë muaj pas kërkesës time, zbatoi urdhrin e Kryeministrit – Gjyqtar Suprem, për mos të më dhënë leje për t`u betuar dhe të marrë mandatin.
Pa betimin nuk behet efektiv mandati. Pa betimin dhunohet e drejta kushtetuese e zgjedhjeve. Duket sikur në Himarë nuk janë bërë zgjedhje. Me forcë pushteti, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me bekimin pa ligj të një gjykate personale të Kryeministrit, po shkelet çdo parim, normë kushtetuese dhe Europiane për mos të lëshuar Bashkinë e Himarës.
Nën dirigjimin e zëvendësprokurorit politik të SPAK Adnand Xholi, duke keqpërdorur prokuroren Dorina Bejko, dhe me mbulimin qe u bën falsifikimeve në procesin tim prokurori Edvin Kondili, kjo treshe mbaron çdo porosi të Kryeministrit Rama për sulmin antikushtetues ndaj zgjedhjeve në Himarë.
Për t`i dhënë një dorë këtij sulmi ndaj zgjedhjeve të lira në Himarë, u kujdes edhe Kryetarja e GjKKO, Irena Gjoka duke keqpërdorur gjyqtarin relator Erjon Çelen.
Një “ndihmesë” e dha sot me refuzimin e lejes gjyqtarja Daniela Shirka. Ajo në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e Gjykatës se Lartë, e gjykoi çështjen si gjyqtare e vetme.
E gjykon e vetme se nuk gjen dot dy të tjerë që të poshtërojnë kaq shumë Kushtetutën dhe të drejtën e zgjedhjes në Himarë. Kujtojmë se disa gjyqtare që u caktuan ne procesin tim penal, kanë dhënë dorëheqjen se në fund të fundit nuk donin dhe refuzuan që të shkelnin ligjin dhe Kushtetutën e Shqipërisë në mënyrë flagrante.
Prej dy muajsh kam bërë kallëzim në SPAK për gjyqtarët Irena Gjoka dhe Erjon Cela dhe prokuror Edvin Kondili. Janë të vetmit magjistratë që kam kallëzuar, se me veprimet tyre kanë siguruar që të mos më garantohet proces i rregullt ligjor, të administrohen akte të falsifikuara në dëmin tim, të nxisin pushtetin qendror për veprime antikushtetuese ndaj Bashkisë Himarë, duke mohuar parimin më të shenjtë të demokracisë, qeverisjen nëpërmjet zgjedhjeve të lira.
Gjithë vëmendja jone është tek Gjykata Kushtetuese. Atje kam depozituar disa kërkesa. Prej tre muajsh ka kaluar për gjykim ankimi im ndaj masës se sigurimit dhe akoma nuk ka një date gjykimi. Presioni i Ramës qëndron i rëndë edhe atje. Presim që Gjykata Kushtetuese të paktën të mbrojë Demokracinë, të mbrojë Kushtetutën! Shpresa vdes e fundit, por dita ditës, këtij vendi po i vdes edhe shpresa!