“Padrejtësi, të marrë fund”- Beleri përplaset me SPAK, akuza: Rastet kur jepet leja
Ditën e sotme në GJKKO është zhvilluar seanca gjyqësore për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i cili ndodhet në paraburgim me akuzën për blerje votash.
Sipas burimeve për Euronews Albania, bëhet me dije se seanca gjyqësore ndaj Belerit është shoqëruar me debate të forta mes palëve.
Beleri pretendoi se është shkelur Kushtetuta dhe nuk është e mundur që një humbës të vijojë të drejtojë një institucion që zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli.
Beleri theksoi se kjo padrejtësi duhet të marrë fund sa më shpejt dhe atij duhet t’i jepet leja e posaçme për t’u betuar.
“Diskriminim politik. Ka vendime politike dhe pozicionime të kryeministrit përpara çdo seance. Nuk ndodh në asnjë shtet të botës që një humbës të vijojë të drejtoj. Padrejtësi që duhet të marrë fund, diçka që nuk pengohet me ligj, lejohet. Është parim kushtetues”, deklaroi Beleri.
Kundër lejes së posaçme ishte dhe SPAK, ku prokurorët evidentuan dhe raste kur të burgosurit mund të marrin leje.
“Nuk ka dispozitë të veçantë për leje të veçanta përveç: Sëmundje të rënda që vërtetohet me raport mjekësor nga ana e familjarëve, martesa, vdekje ose provim”, tha akuza.
Në seancën ku u shqyrtua dhënia ose jo e lejes, ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të cilët ishin gjithashtu kundër.
Gjykata pasi dëgjoi të dyja palët vendosi shtyrjen e seancës për në datë 11 dhjetor.