Mitsotakis ia thotë në sy Ramës në Bruksel: Athina do bllokojë integrimin e Shqipërisë, nëse nuk zgjidhet çështja Beleri
Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis biseduan për pak çaste këtë të mërkurë në Bruksel, aty ku zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Mitsotakis i ka përsëritur Ramës se “Athina nuk do të mbështesë hapat e tjera të procesit të anëtarësimit nëse nuk është zgjidhur më parë çështja e betimit të Belerit”.
Më herët, në një artikull në vigjilje të Samitit, gazeta greke Kathimerini paralajmëroi se Athina po përpiqet të përdorë njërin prej mekanizmave më të rëndësishëm në vendimmarrjen e bllokut, të drejtën e vetos që ka çdo vendi anëtar, për t’i bërë presion Shqipërisë lidhur me rastin e Belerit.
Por, kërcënimi grek për pengim të avancimit në bisedimet e anëtarësimit ka marrë deri tani një përgjigje të prerë si nga kancelari gjerman Olaf Scholz, ashtu edhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të cilët bën të qartë se mosmarrëveshje të tilla duhet të zgjidhen mes dy palëve dhe se sundimi i ligjit, duhet zbatuar.
Megjithatë, Mitsotakis ka insistuar në takimin me Ramën se çështja Beleri nuk është çështje dypalëshe por çështje europiane.
“Çështja e marrjes së detyrës nga kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë nuk është çështje dypalëshe por çështje europiane, ku shteti i së drejtës është shtylla kurrizore e vendeve që duan të aderojnë në BE”, ka thënë udhëheqësi grek.
Burime diplomatike greke për gazetarin e Top Channel, Artur Bibe kanë deklaruar se Mitsotakis ia ka përsëritur edhe personalisht zotit Rama gjatë bisedës disa minutëshe që patën në kuadër të samitit BE me Ballkanin Perëndimor se Greqia është e detyruar të mos japë aprovimin e saj për hapjen e kapitujve të integrimit të Shqipërisë mbas zhvillimeve në çështjen Beleri.
Të njëjtat burime thanë se Rama nuk ka qenë dakord me qëndrimin e palës greke madje ka sqaruar homologun grek se Beleri do të gjykohet sipas ligjeve shqiptare dhe se nuk ka asnjë interferencë politike në qëndrimin e gjykatave shqiptare për këtë çështje.
Sipas Kathimerinit, Greqia i ka dorëzuar tashmë një deklaratë me shkrim, e cila shoqëronte letrën e Këshillit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë e ku vendosej si kusht betimi i Fredi Belerit, gjykimi i drejtë dhe respektimi i prezumimit të pafajësisë. Pala greke, vazhdon shkrimi, do të konsultohet përpara fillimit të Samitit mbi formulimin final lidhur me konkluzionet përfundimtare për Shqipërinë.
Në një moment të caktuar, Athina i kishte propozuar Komisionit Evropian që, nëse dëshironte, mund të jepte edhe pëlqimin për shkëputjen e dy kandidaturave, pasi Greqia nuk ka asnjë problem me Maqedoninë e Veriut, e cila duket se përmbush në mënyrë më efektive kriteret që lidhen me sundimin e ligjit.
Është absolutisht e qartë se ky zhvillim krijon një front për Athinën, teksa disa vende të BE-së por edhe SHBA e konsiderojnë progresin e Shqipërisë si një “histori suksesi”.
Ajo po merr një mbështetje shumë të rëndësishme nga Gjermania, ndërsa presidenca spanjolle e BE-së duket se ka premtuar në Tiranë se problemet me Greqinë do të kapërcehen. Athina megjithatë, kujton se procesi i pranimit për çdo anëtar të mundshëm është transnacional”, nënvizohet në artikull.