Çështja ‘Beleri’ Rama paralajmëron zgjedhje të reja në Himarë: Jorgo Goro nuk mund të qëndrojë më në detyrë
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar zgjedhje të reja për bashkinë e Himarës. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Posaçme për të mos pranuar kërkesën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak, Rama tha se zgjidhja e vetme e ngërçit të krijuar është që Jorgo Goro, të mos qëndrojë më në detyrë për shkak se nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar, në mungesë të fituesit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘X’, ku ka bashkangjitur vendimin e GJKKO për Belerin drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Rama tha vendimi është i bazuar vetëm në ligj, duke theksuar se nuk ka asnjë ndërhyrje të politikës.
“Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës”- thekson mes të tjerash Rama në reagimin e bërë.
Postimi i plotë nga Rama:
Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë:
1. Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
2. Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
3. Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës.
Çështja e betimit të Belerit si kryebashkiak i Himarës është bërë temë kryesore edhe në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Shteti grek vijon të mos pranojë firmosjen e letrës që do të hapte negociatat e Shqipërisë më Bashkimin Evropian. Sipas Greqisë moslejimi i Belerit për t’u betuar si kryebashkiak, është vendim politik i qeverisë. Situata e tensionuar u shfaq edhe mes bisedës që Rama pati me kryeministrin grek Mitsotakis gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në 13 dhjetor.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.