Emri/ Arrestohet drejtori i IKMT Sarandë
Është arrestuar drejtori i IKMT-së në Sarandë, Nasip Hoxha.
Mësohet se Hoxha është vënë në pranga gjatë mbrëmjes së djeshme, nën akuzën për shpërdorim detyre. Bëhet me dije se pas arrestimit Hoxha është dërguar në spital pasi nuk është ndier mirë.
“Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, bashkia Sarandë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacionit policor të koduar “Mjegulla”, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Sarandës për shtetasin:
N.H., 57 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, bashkia Sarandë. Ky shtetas akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm, për të kryer ndërtime pa leje, në territorin e bashkisë Sarandë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia