Shezllone 30 mijë lekë deri 500 euro në Ksamil, operatori komenton ecurinë e sezonit

Arben Çipa, operator turistik që operon në Vlorë dhe në Sarandë tha në një intervistë për Euronews Albania se sezoni i sivjetshëm është shumë suksesshëm dhe i larmishëm me turistë nga e gjithë bota.

Risia sipas tij është mosha e re e turistëve dhe shtimi i turistëve nga Europa Perëndimore, që ka sjellë një ndryshim në ngjyrat që i kanë dhënë turizmit në jug.

Çipa theksoi se çmimet e shezllonëve në Ksamil si zona më e kërkuar shkojnë nga 30 mijë lekë deri në 500 euro për shezllon.

“Mendoj se duhet të ndryshojë ky realitet, duhet parë kuadri ligjor që plazhet publike të jenë  të tilla dhe të mos jenë të uzurpuara pasi do vijë pushuesit për detin dhe do përfundojnë në pishina. Janë zgjedhje të nevojshme për të mbijetuar sa më gjatë një destinacion turistik. Çmimet në Ksamil, si zona më e kërkuar për shkak të mbingarkesës, ka sjellë si rezultat rritjen e çmimeve, por ky nuk do të ndihmojë në përshtypjet që do të përcillen nga turistët më vonë”, tha Çipa.