Rama: Tokat e qëndisura me mandarina, portokalle e limonë në Xarrë të Konispolit
Fshati Xarrë, në Konispol në skajin jugor të Shqipërisë kryeson prodhimin e agrumeve ne vend, ku numërohen qindra ha toka të kultivuara me varietete të ndryshme të mandarinave, portokalleve dhe limonëve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga tokat e mbjella me agrume në fshatin Xarrë të konsipolit.
Rama tha se në Xarrë të Konispolit tokat janë të qëndisura nga pemët me mandarina, portokalle e limonë.
Plantacionet me mandarina dhe agrumet e tjera në Konispol, janë kthyer në një model investimi në bujqësinë shqiptare, ku angazhojnë në punë pothuajse të gjithë banorët e bashkisë Konispol, teksa gjenerojnë punësim edhe për banorë të tjerë nga zona të Ksamilit, Delvinës duke ndikuar drejtpërdrejtë edhe në rritjen e të ardhurave për ekonominë fermere.
Këto agrume vlerësohen të një cilësie të lartë dhe prodhim pa pesticide të dëmshme dhe kjo bën që produkti të kërkohet nga tregjet në vendet e tjera të Ballkanit dhe Europës Lindore.
Shumica e banorëve të Konispolit kanë kultivuar në fermat e tyre agrume dhe vit pas viti prodhimi shënon rritje duke e kthyer në sektorin bazë të ekonomisë së zonës.