Ksamil, hiqen mbi 600 çadra e shezlongë të paligjshëm

Në plazhin e Ksamilit vijon aksioni për lirmin e hapësirave të zaptuara në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.

Policia thotë se janë sekuestruar 432 shezlongë dhe 216 çadrave që ishin vënë pa autorizim.

Për këtë janë proceduar penalisht dy administratorë që kishin vënë shezlongët dhe çadrat, në mënyrë të kundërligjshme, dhe nuk deklaronin të ardhurat që gjeneronin nga ky aktivitet.

NJOFTIMI

Ksamil, Sarandë

Vijon operacioni policor i koduar “Plazh i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave në plazhe, që janë zënë në kundërshtim me ligjin.

Kjo fazë e operacionit u shtri në plazhet e Ksamilit, dhe rezultoi me sekuestrimin e 432 shezlongëve dhe 216 çadrave që ishin vënë pa autorizim.

Procedohen penalisht 2 administratorë që kishin vënë shezlongët dhe çadrat, në mënyrë të kundërligjshme, dhe nuk deklaronin të ardhurat që gjeneronin nga ky aktivitet.

-Në plazhin e quajtur “Pema e thatë”, Ksamil, u sekuestruan 328 shezlongë dhe 164 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. I., 39 vjeç, banues në Sarandë.

-Në plazhin e quajtur “Laguna”, Ksamil, u sekuestruan 104 shezlongë dhe 52 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 49 vjeç, banues në Berat.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Kontrollet dhe verifikimet në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, vijojnë.