Kryebashkiaku i Athinës drejt Himarës, pritet të shprehë mbështetjen për Fredi Belerin
Kryebashkiaku i Athinës Kostas Bakojanis do të udhëtojë në Himarë të hënën për t’u takuar me anëtarët e minoritetit grek në qytetin jugor shqiptar, raporton “Ekathemerini”.
Ai pritet të shprehë edhe mbështetjen për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në paraburgim që prej arrestimit në maj me akuzën e blerjes së votës.
“Arrestimi i Belerit pak përpara zgjedhjeve lokale në Shqipëri ka shkaktuar tensione mes dy fqinjëve, me Athinën që kërcënon të bllokojë ofertën e anëtarësimit të vendit ballkanik në Bashkimin Evropian nëse ai nuk lirohet dhe nuk lejohet të bëjë betimin për të marrë postin e tij”, shkruan media greke.
Sipas “Ekathemerini” Bakojanis pritet të flasë para minoritarëve grekë të Himarës, në një organizim që do të mbahet të hënën në mbrëmje.