Kontrolle për sigurinë e pushuesve, bllokohen 12 mjete lundruese nga Vlora në Sarandë
Në të gjithë hapësirën ujore të qarkut Vlorë, grupe kontrolli nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.
Si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore të qarkut Vlorë, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, ka bllokuar 12 mjete të tjera lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.
Në Radhimë, Ksamil dhe Sarandë janë bllokuar 7 mjete lundruese Jet Ski. 2 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 100 000 lekë të rinj, për lundrim/bregëzim në zonë të ndaluar; 2 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 20 000 lekë të rinj, për mosregjistrim të mjeteve lundruese brenda afatit të përcaktuar me ligj; 3 drejtues janë ndëshkuar secili me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë të dokumentacionit në bord.
Në molin e portit të Vlorës janë bllokuar 2 anije turistike. Secili nga drejtuesit (kapitenët) u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë të rinj, për ushtrim të aktivitetit (turizmit detar) në kundërshtim me ligjin.
Në Gjipe u bllokua 1 mjet lundrues gomone. Drejtuesi u ndëshkua me masën administrative 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni në bord.
Në Dhërmi u bllokuan dy skafe për mungesë dokumentacioni. Drejtuesit e mjeteve lundruese u ndëshkuan me masë administrative me nga 10.000 lekë secili.
Policia Kufitare e Vlorës apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete, me qëllim që ata dhe pushuesit e tjerë të jenë të sigurtë dhe të qetë.