“Hidrovori i mallkuar” në Sarandë, 5 vite më parë te i njëjti vend dhe po në 24 gusht vdiq në aksident një shtetase italiane. Rastësi apo çfarë?
Një koicidencë e frikshme rezulton lidhur me aksidentet me motor të italianëve në Sarandë. Në të njëjtën datë si sot, pra 24 gusht, në të njëjtin vend tek “Hidrovori” në aksin Sarandë-Ksamil, 5 vite më parë humbi jetën një tjetër shtetase italiane.
Motori që drejtohej nga 63 vjecari Giuseppe Sciutto u përplas me një automjet duke shkaktuar vdekjen e pasagjeres Maria Sedda, 64 vjec dhe plagosjen e drejtuesit italian. Në 10 nëntor 2021 Gjykata e Sarandës dënoi në mungesë me 2 vjet e 3 muaj burg italianin Sciutto si shkaktar të aksidentit, i cili nëse Apeli ka lënë në fuqi vendimin, duhet të jetë tashmë person në kërkim. Në aksidentin e mëngjesit të sotëm humbën jetën dy turistët italianë, Domenico Gritto dhe Vicenzo Tizziano.
Dy italianët udhëtonin me një motor, i cili u përplas nga një automjet me të cilin udhëtonte 17-vjeçari Elio Rraku bashkë me një person tjetër. Për ngjarjen e rëndë, policia arrestoi shoferin e makinës. Rraku akuzohet për dy vepra penale, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimi i automjeteve ne menyre te parregullt.
Pas ngjarjes së rëndë Policia e Shtetit pezulloi shefin e rrugores në Sarandë dhe nisi një hetim administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik.