U prehsh në paqe bashkëqytetari e miku ynë model, Edmond Kapo
Largimi i parakohshëm dhe aksidentalisht i Edmond Kapos, nga kjo jetë është pikëlluese për bashkëqytetarët tanë. Njëherësh është shumë e rëndë e pikëlluese për familjarët, vajzat, të afërmit, kolegët e miqtë e tij.
“Edmond Kapo lindi 62 vite më parë, në 26 shtator 1961 në qytetin e Sarandës. Deri në moshën 14 – vjeçare Edmondi, ose Mondi siç njihej nga të gjithë, ka jetuar në Markat, bashkia Konispol. Në vitet 1975-1979 kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Në vitet 1979-1980 Mondi kreu stazhin në Vaun e Dejës. Por studimet e Mondit nuk ndalën këtu. Edmond Kapo pati synime për më tej duke vijuar me studimet e larta në Shkollën e Bashkuar të Oficereve, të cilat i kreu në vitet 1980-1984.
Pas studimeve Mondi, nisi punë si oficer radiolokacioni në Gjirokastër për vitet 1984-1993. Në 1987, jeta e Mondit ndryshoi pasi u martua me Merita Ademi, vajzën nga Konispoli dhe krijoi familjen e tij që për të ka qenë në çdo kohë e shenjtë. Fillimisht e vogël duke u shtuar në 1988 me Edlirën, vajzën e madhe për t’u shtuar përsëri në 1991 me Ledionën.
Mondi siç e pati ndjenjë të tijën arsimimin e tij i tillë ka qenë edhe për të dy vajzat e tij. Edlira eshtë diplomuar për Inxhinieri Matematikë Informatikë dhe prej vitesh ka krijuar familjen e saj, nënë e dy vajzave të vogla dhe prej vitesh jeton në Amerikē, ndërsa Lediona, nëna e një djali, ka mbaruar Juridikun dhe punon juriste në ASHK Sarandë.
Në vitet e para të ndërrimit të sistemit pra në vitin 1993 Mondi transferua në Sarandë po në radiolokacion në Vrion duke sherbyer deri në vitin 2000. Nga viti 2001 e deri në ditën e fundit të jetës ka ne qenë shef sigurie në Sherbimin Informativ Shtetëror këtu në Sarandë.
Por Edmond Kapo përveç i dashuruar me profesionin e tij të ushtarakut të ngjizur që në adoleshencë, ai ishte mjeshtër edhe në zanatin e hidraulikut dhe elektricistit, zanat të cilin e ushtronte në kohë të lirë. U rrit Mondi në një familje të thjeshtë, me respekt dhe reputacion në komunitet.
Ai ishte njeri social, komunitar dhe kudo ku punoi la një emër shumë të mirë dhe me respekt për punën dhe shumë i përkushtuar, cilësi këto që i ka përcjellë edhe në familje.
Por fatkeqësisht jeta e Mondit u pre në mes aksidentalisht atë paradite të 30 majit, duke lënë të shokuar familjarët, miqtë, shokët, të afërmit e tij.
Me humbjen e parakohshëm ne humbëm një mik, humbëm një shok me vlera të shprehura qytetare. Familja humbi njeriun e tyre të shtrenjtë.
U prehsh në paqe, shoku dhe miku ynë i mirë, Edmond Kapo!
Shpresa DINE