Kumbaro me ndërtuesit e hoteleve në Dhërmi: Pezullohen punimet gjatë fundjavës në korrik e gusht
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim me përfaqësues të bashkisë së Himarës dhe ndërtuesit e hoteleve në zonën e Dhërmiut dhe Drimadhës, ku po zhvillohen projekte shumë të rëndësishme për strukturat e mikpritjes.
Kumbaro kërkoi në këtë takim që ndërtuesit të sigurojnë që gjatë muajve të sezonit të lartë të mos shqetësojnë pushuesit.
“Për këtë arsye, bashkia e Himarës po përgatit urdhrin për pezullimin e punimeve gjatë fundjavës në muajt korrik e gusht, dhe rregullimin me orare të caktuara se kur lejohen punimet, bashkë me masat që duhet të marrë çdo ndërtues në lidhje me higjienizimin e zonës përreth”, theksoi ministrja.
Kumbaro siguroi se, sezoni turistik do të jetë më i mbarë, ndërsa bëri të ditur se, “vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti kemi tejkaluar 42 % më shumë vizitorë të huaj se vjet”.