Qytetet që paguajnë më shumë taksa mbi konsumin, Saranda në vendin e parë
Barra tatimore që qytetarët shqiptarë kanë paguar mbi konsumin në vitin me çmimet më të larta të dekadave të fundit është e ndryshme dhe disa nga rajonet që kryesojnë rezultojnë të jenë surprizuese. Studimi i ”Altax” për vitin 2022 ka marrë në analizë barrën tatiore të tatimeve të konsumit (TVSH dhe Akcizë) duke u nisur nga llogaritjet e kryera lidhur me pagesën e TVSH dhe akcizës në buxhetin e shtetit ndaj barrës tatimore gjithsej për banor, ku vërehet se ka një situatë me një ndryshim në renditjen e rajoneve të vendit në krahasim me renditjen e tyre për barrën tatimore për banor.
Kështu nëse në barrën tatimore për banor kryeson Tirana, barrën më të lartë për banor për tatimet e konsumit e gjejmë në Sarandë, ku 56.9% e barrës tatimore të banorëve përbëhet nga TVSH-ja dhe akciza, që përfaqëson vlerën e mallrave dhe shërbimeve që ata kanë blerë në vitin 2022. Ky raport i barrës së TVSH dhe akcizës ndaj barrës tatimore për banor është e lartë në Kukës, Elbasan, Dibër, Lezhë, Korçë dhe Vlorë.
Ndërkohë, në Tiranë, Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Fier dhe Berat barra e TVSH dhe Akcizës është poshtë nivelit 50% në raport me barrën tatimore. Një faktor ndikues lidhet me shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve për konsum, të cilat kanë një prirje të konsumohen jashtë zonës ku krijohen apo prodhohen drejt eksportit apo në zonat me dendësi popullsie.
Këto tregues vlejnë për transparencë në lidhje me peshën që mbajnë me pagesat e tyre për buxhetin direkt, si konsumatorët, por po ashtu edhe bizneset, investitorët dhe qytetarët duke kuptuar se tendenca në rënie e peshës së tatimeve indirekte (presioni mbi çmimet e konsumit) dhe tendenca në rritje e tatimeve direkte (ndikimi mbi fitimin korporativ dhe të ardhurat personale) pasqyrojnë efektet pozitive të politikës fiskale të qeverisë, e cila synon një rishpërndarje të të ardhurave duke përfituar më tepër tatime nga fitimi mbi kapitalet.
Raporti që kanë taksat e paguara apo të njësisë territoriale brenda vendit në raport me PBB-në është një tregues që vlen për të parë se sa është kontributi real i taksapaguesve. Nga ana tjetër ai vlen për të kuptuar se sa duhet pretenduar për të përfituar mbrapsht në formën e shpenzimeve që bëhen nga buxheti shërbimet që kanë interes të madh publik.