Himara pas zgjedhjeve/ Humbi garën për një grusht votash, flet Jorgo Goro
Fredi Bejleri e mori mandatin e kryebashkiakut të Himarës edhe pse është pas hekurave, por fati i tij është ende në dorën e SPAK.
Nëse do ketë zgjedhje të pjesshme në Himarë apo jo, atë do e vendosë drejtësia, ndërsa një vendim do duhet të marrin edhe socialistët në rast të një skenari zgjedhjesh të parakohshme.
Në rast se do kemi zgjedhje të pjesshme shumë shpejt, ju do të kishit një rikandidim?
“Unë jam në krye të detyrës, jam i pranishëm çdo ditë me qytetarët e mi, kam besimin e tyre, kam besimin e partisë, jam në dispozicion të tyre, për çdo gjë që do të vendosin”, tha Goro.
Socialisti Jorgo Goro e humbi garën për një grusht votash megjithatë ai vlerëson se fitorja e Fredi Bejlerit nuk e nderon Himarën.
“Patjetër që kjo nuk e nderon Himarën, dhe unë jam në krye të detyrës dhe do vazhdoj të punoj”, tha ai.
I zgjedhuri i Berishës dhe Metës për Himarën edhe pse është i burgosur për blerje votash gëzon titullin kryebashkiak, por zyrtarisht ai do mund ta marrë detyrën vetëm pasi të betohet para këshillit bashkiak, në rast se drejtësia nuk vendos ta dënojë dhe t’i hapë rrugën zgjedhjeve.