Josif Papagjoni me një libër të ri: “Qytetit të lindjes – Saranda”
Prof.dr. Josif Papagjoni vjen së fundi me një libër të ri në memuaristikën e munguar për vlerat e Sarandës, si një meshtar për shumë nga sarandiotët, të gjallë a të vdekur ndër vite me librit e tij “Fluturimi i bletës – SARANDA”.
Kritiku i mirënjohur i artit skenik, sot një nga akademikët më aktivë ” i pamoshë” dhe elokuent si ngaherë, shprehet për eventin e promovimit të datës 14 prill në galerinë e arteve pamore ArtSaranda.
Papagjoni risjell gjithsesi shpritrat e bukur dhe interesantë sarandjotë në faqet e një libri, me nektarin e grumbulluar si bleta nektarin, në qindra e mijëra kilometra, duke qëmtuar bashkëqytetas të tij që i rifreskojnë imazhet e karakteret e dikurshme, që në fund të fundit, janë pjesë inegrale e memories së Qytetit, kaq e nevojshme edhe për identitetin e tij këtij Qyteti, ndërtur nga dashuritë dhe nga kumtet e paqes mes një mozaiku multikrahinor, multietnik e multifetar.
Skrupuloz në përdorimin e çdo fjale e situate, si ai argjendari që peshon lëndën e çmuar, Prof.dr. Papagjoni na kujton edhe njëherë se, jo çdo grafomani, është pjesë e kolanës për vlerat dhe memorien e një qyteti, por vetëm ato që, përcjellin me mençuri, pathos e sensin e masës, vlerat për të cilat aq shumë ka nevojë ky vend dhe Saranda, Qyteti i bekuar ku jetojmë sot. Me këtë libër Papagjoni është edhe një observator kujtese.
Duke i uruar sukses,
Në vijim, ESEJA e Prof. dr. Josif Papagjonit si një monolog e dialog i tjetërsojshëm me Qaytetin :
“Të premten ora 11 në galerinë e arteve të qytetit do bëj promovimin e librit tim “Fluturimi i bletës – SARANDA”. Kam një gëzim tjetërfarë. Mbase se libri është për Sarandën dhe ndjesitë e mia. Vetveten. Mbase sepse jam ngrohtë mes miqsh në këtë qytet ku mijëra kujtime më rrethojnë – “shtëpia” ime. Mbase sepse jam bërë një meshtar për shumë nga sarandiotët, të gjallë a të vdekur, shpirtrat e të cilëve i kam ftuar në fletët e këtij libri. Mbase sepse…
…Tek shijoja perëndimin e diellit, një bletë u ul në gotën time. Ishte e vonuar. Zgjati pipthin e saj të murrmë dhe nisi të thithte lëngun e portokalladës. U mat të fluturonte por krahët iu përplasën në qelq dhe ra në lëng. Qe një bletë e lodhur! Donte të kthehej në shtëpi. Mora bishtin e lugës dhe ia vura nën bark. Bleta doli, lëpiu krahët me këmbëzat e saj të vocka dhe u mat të fluturonte. Ik bletë punëtore, i thash, po bie muzgu, motrat të presin, nëna mbretëresh të pret, ç’pret?!
…Edhe ky libër është si bleta. Është një udhëtim. Në harkun e jetës sime rëndom më vjen në mendje bleta, më saktë fluturimi i saj kilometra larg, lule më lule, miliona lule, për të sjellë në koshere në mënyrë heroike polen dhe nektar për të tjerët. A s’është edhe jeta e njeriut si fluturimi i bletës? Po jeta ime, e juaja, a nuk është po njësoj?
“Vrapo ti “bletë” e metaforës sime, më zuri mua dalldia poetike, fluturo plot gaz gjelbërimit të brigjeve të mia, fluturo mbi qytetin tim të bukur, dhe mbushi përplot krahët e tu me polen, ndërsa fytin me nektar. Se ka nektar shumë kjo tokë. Ky qytet. Ëmbëlsoji! Hidhësira e mbetur qoshkave të tij le të ikë! Koha e re po e shton gjithnjë e më shumë mjaltin tënd, mjaltin e jetës, mjaltin e punës, mjaltin e ndershmërisë dhe pikës së djersës. Njeriu vetë është si ty, moj bletë. Kam dashur në jetë të të ngjajë edhe unë sadopak. Kam vrapuar të mbledh edhe unë polen e nektar ndër krijimet më të bukura të artistëve shqiptarë e të njerëzve. Të krijojë edhe vetë pakëz mjaltë arti e letërsie. Por në këtë vrap jo ngaherë kam qenë vetvetja. Më kanë munduar aq shumë dyshimet: ku, si, çfarë, me se, me kë, pse? Dhe kur në vramendjet e këtyre pyetjeve që të sfilitin (sepse porta e jetës tash po më mbyllet), kur nga përleshja me “detin e egërsuar të Galilesë” kam ndjerë se po mbytem, bash në zgripin e dështimit, humbjes a vdekjes ja ku më ka vezulluar saora, sa një grimëz sekonde, ajo, Meka ime – vendlindja, Saranda. Eja, më thotë! Mos u mbyt në pikëllim! Hip mbi barkën time! Ti je një bletë e lodhur. Dhe unë shkoj, tashmë frelëshuar, për t’i shpëtuar dallgës së viteve, trishtimit të moshës, për të gjetur limanin, ku shpirti im i munduar kërkon dikë që e pret diku, si nëna birin e larguar. Unë nuk jam një Krisht, moj bletë, që ta ndaloj dallgën vdektare të detit të Galilesë, as një Muhamed që nga padija njerëzore të kumtoj dijen e Zotit ndër të tjerë. Por jam një djalë i këtij deti, i këtij bregu, i këtij qyteti, bleta ime, një meshtar që përshpirtem për Sarandën time, ku krahët kam dëshirë t’i shlodh pak. Dhe të prehem. Dhe të shuhem… Ti më sheh me sy të habitur dhe këmbëzat e mbushura me polen. Shlodhi, pra! – më thua ti, – unë po fluturoj te shoqet e mia. Më fal o mik, nuk të njoh, as këto fjalë malli e dëshpërimi që po thua, nuk i njoh. Unë njoh vetëm punën. Dhe bleta iku, fluturoi mbi qytetin tim, mbi det.
A nuk ju thotë po njësoj jeta, qyteti, deti edhe juve bashkëqytetarët e mi, siç më tha mua bleta?! A nuk keni fluturuar dhe ju po njësoj si ajo duke i sjellë qytetit e familjeve tuaja nektarin e shumëdëshiruar?! A nuk kemi qenë të gjithë ne “bletët punëtore” të qytetit tonë?
Kambanat e muzgut po bien, por nesër sërish agon. Fluturo bletë!…