Sarandë, kapet në flagrancë 19- vjeçari, transportonte kundrejt pagesës 4 emigrantë për kalimin e paligjshëm të kufirit
Shërbimet e Policisë Kufitare në Sarandë, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX-it dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë konstatuar një rast tjetër të kësaj veprimtarie.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 19 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ky shtetas u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Çukë-Dritas”, duke transportuar me automjet, kundrejt përfitimit, 4 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.️