Destinacioni i javës: Rrënojat e fshatit mesjetar të Kamenicës, 11km nga qyteti i Sarandës

Rrënojat e fshatit mesjetar të Kamenicës ndodhen 5 km në veri të Delvinës, rrëzë shpatit jug-perëndimor të Malit të Gjerë.

Rrënojat e banesave shtrihen në të dy kodrat e lidhura me njëra tjetrën përmes një qafe të ulët, të njohur si “Qafa e Pazarit”.

Kamenica përmendet për herë të parë në rregjistrat turke të vitit 1431- 1432 si një fshat relativisht i madh, me 267 banesa. Banesat në përgjithësi janë të thjeshta dhe me unitet në planin konstruktiv-arkitektonik.

Ato janë me gjysëm kat, të përshtatura me pjerrësinë e terrenit ku kati i sipërm ishte për banim dhe i poshtmi për bagëtitë ose depo.

Nuk mungojnë as banesat me kulla, dy apo tri kate por edhe një numër i madh kishash të evidentuara gjatë ekspeditave të arkeologëve.

Kamenica mendohet se është braktisur në mënyrë kolektive rreth shekullit të 18-të ndërkohë që vijon të jetë ende sot në qendër të studimeve dhe kërkimeve nga ana e specialistëve.