S’ka peshkatarë, i marrin nga Egjipti, Sektori i peshkimit në Sarandë në vështirësi për punonjës
Paga e larta ishte arsyeja kryesore që Mohamed Ali la Egjiptin për Shqipërinë.
Prej gati një viti punon në Portin e Anijeve të peshkimit në Sarandë.
“Jam këtu sepse Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Në vendin tim unë e kam një profesion, jam inxhinier, por nuk gjeta me të mirën për veten atje. Jam këtu prej rreth një viti, pasi të përfundoj kontratën do të kthehem serish në vendin tim. Unë inkurajoj këdo që të vijë të vizitojë, por edhe të punoj në shqipëri, jam i lumtur këtu. Dhe pagesat po janë të mira.”
Janë të shumë të rinjtë si ai që vitet e fundit e kanë zhvendosur jetesën në Shqipëri.
Ata janë angazhuar në sektorin e peshkimit, aty ku vështirësitë për gjetjen e punonjësve të kualifikuar vendas kanë qenë të mëdha.
Peshkatarët thonë se nevojat po i plotësojnë me punonjës përtej kufijve kryesisht nga Egjipti.
Emigrimi i shqiptarëve dhe mbyllja e shkollës së peshkimit janë shkaktarët e kësaj situate.
Për peshkatarët, të huajt janë gjendur mirë në Sarandë.
Sektori i peshkimit nuk është i vetmi që haset me mungesë punëtorësh. Sektori i ndërtimit, hoteleri-turizmit, fasoneritë dhe biznese të ndryshme vitet e fundit e kanë pasur të vështirë të gjejnë staf.